Pensionistët përfitojnë nga sot bonusin dhe rritjen e pensioneve/ Ja si do të shpërndahen pagesat

Pensionistët përfitojnë nga sot bonusin dhe rritjen e pensioneve/

Rreth 900 mijë pensionistë në të gjithë vendin kanë nisur të përfitojnë nga indeksimi i pensioneve, pasi Qeveria vendosi të përshpejtojë zbatimin e tij për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve, të ndikuara nga zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Rritja e pensionit do të jetë në varësi të masës së pensionit që përfiton çdo qytetar. Një pensionist që merr 10 mijë lekë në muaj do të përfitojë një shtesë prej 270 lekësh, ndërsa për një pension prej 50 mijë lekësh shtesa arrin në 1,350 lekë në muaj.

Krahas indeksimit, ka nisur edhe shpërndarja e bonusit të verës prej 5 mijë lekësh, nga i cili përfitojnë 777 mijë pensionistë. Ata që e marrin pensionin në sportelet e Postës Shqiptare do ta tërheqin bonusin së bashku me pensionin, ndërsa për pensionistët që e marrin përmes bankave, shuma do të kalojë automatikisht në llogarinë e tyre.

Pensionistët kanë afat gjashtë muaj për të tërhequr bonusin, në të kundërt e humbasin të drejtën e përfitimit.

Bonusi përfshin të gjitha kategoritë e pensionistëve, si përfituesit e pensionit të pleqërisë, invaliditetit, pensionit familjar, pensionit social, si edhe ata që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Përfitues janë edhe personat që kanë mbushur moshën për pension deri më 30 qershor 2026.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 40 mijë pensionistë që e marrin pensionin më 1 korrik do të përfitojnë menjëherë edhe bonusin e verës. Ndërkohë, kostoja financiare e kësaj pakete mbështetëse përllogaritet në rreth 3.9 miliardë lekë.

EMISIONET