Pa shtëpi prej 2019-ës/ Banorët e dëmtuar nga tërmeti në Durrës në protestë: S'e dimë se çfarë do të bëhet me ne
Procesi i rindërtimit që prej nëntorit të 2019-ës ka qenë në krye të agjendës qeveritare, por edhe të bashkive që u prekën nga tërmeti. Por, më shumë se tre vjet pas tërmetit shkatërrues, dhjetëra banorë në Durrës nuk e kanë të qartë se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre. Ata protestuan para bashkisë duke kërkuar zgjidhje të situatës.
Më shumë se tre vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të 2019, disa banorë të lagjes nr.5 e gjejnë veten pa shtëpi, e në protestë!
Ata u mblodhën para Bashkisë së Durrësit, për të kërkuar përgjigje për pallatin e tyre!
"Janë krejtësisht në heshtje për çështjen tonë dhe heshtja më e madhe është këtu pas shpinës time, te bashkia. Na thonë shumë gjëra, por asnjëherë nuk kanë dalë vendime konkrete për ne. Sidomos për ne as nuk dihet fare", tha një qytetar.
"Ne presim përgjigje, sepse ne jemi dëmtuar dhe ashtu si ne edhe familjarët tanë. Ne po ikim këtej dhe kalamajtë po na ikin në Itali", tha një tjetër qytetar".
Thanë se prej tre vitesh bashkia ka ndërruar disa herë vendimin, por asnjëherë nuk I ka informuar banorët se çfarë do të ndodh!
"Është marrë vendimi që pallati të prishet dhe të dnërtohet prapë në po atë vend. Tani është anuluar ai vendim i parë dhe kanë dalë me vendime të tjera të cilat nuk na i deklarojnë neve dhe nuk dihet se çfarë kanë vendosur", thotë një banor i irrituar.
"Është skandaloze dhe nuk di ku ta fillosh dhe ku ta mbarosh këtë muhabet", shprehet një tjetër banor.
Ashtu si edhe në protestat e kaluara, banorët e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit vazhdojnë të refuzojnë të sistemohen në sitin e pallateve të reja në Spitallë, ku po ndërtohen 1000 apartamente për të pastrehët e lëkundjes sizmike.