Na “mbytën” turistët/ Në dy muaj mbi 970 mijë vizitorë të huaj në Shqipëri

Vetëm në dy muaj numri i të huajve në vendin tonë ka shkuar në 970 mijë. Sipas të dhënave të INSTAT shifrat tregojnë një rritje me 54 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, edhe shqiptarët kanë shtuar udhëtimet jashtë vendit

Janari dhe shkurti shënuan edhe një tjetër rekord të vizitave nga të huajt. Vetëm në muajin shkurt janë 480.539 persona që kaluan kufirin shqiptar me një rritje prej 55.4 për qind krahasuar me një vit më parë.

Madje edhe në janar janë 489,599 individë. Shifrat tregojnë më shumë se dyfishim me periudhën e dy viteve më parë. Vetëm nga Evropa janë 459 mijë shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore e Paqësor.

Prej tyre në 55 për qind të rasteve janë deklaruar arsyet personale dhe më tej për turizëm, vizitë tek të afërmit dhe për biznes.

Vetëm 38 mijë persona kanë shkelur territorin shqiptar në transit të udhëtimit.

Edhe shqiptarët nuk kanë mbetur pas me lëvizjet. Janë  500.756 me pasaportën kuq e zi që janë kthyer në vend.

Ndërsa 507 mijë kanë udhëtuar jashtë vendit, duke shënuar rritje me 30 për qind në të dy treguesit

Viti 2023 u mbyll me më shumë se 10 milionë të huaj që vizituan vendin tonë ku turizmi ishte qëllimi kryesor, e më tej vizitat mjekësore, apo dhe takimet me të afërmit.

Në muajt në vijim është deklaruar se numri pritet të shkojë mbi 14 milionë, ndërsa mediet ndërkombëtare kanë sugjeruar Shqipërinë si një nga mundësitë më të mira për pushime.

EMISIONET