Miratohet huaja prej 47 milionë euro me KfW për infrastrukturën bashkiake në Shkodër, Lezhë dhe Sarandë

Miratohet huaja prej 47 milionë euro me KfW për infrastrukturën

Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi marrëveshjen e huas me KfW Frankfurt am Main për programin “Infrastruktura Bashkiake V – Faza II”.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj bëri të ditur se programi parashikon një kredi prej 47 milionë eurosh dhe një grant prej 3 milionë eurosh, që do të përdoren për investime në qytetet e Shkodrës, Lezhës dhe Sarandës.

Fondet do të shfrytëzohen për rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve dhe zgjerimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, duke synuar përmirësimin e shërbimit me ujë të pijshëm dhe mbrojtjen e mjedisit në këto komunitete.

Programi zbatohet në katër faza kryesore, që përfshijnë: masat për furnizimin me ujë, rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të kanalizimeve, përmirësimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe mbështetjen me konsulentë të veçantë për zbatimin e projektit.

Investimet pritet të kontribuojnë në përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në bashkitë përfshirë, si dhe në rritjen e performancës së shoqërive të ujësjellës kanalizimeve.

Afati i parashikuar për zbatimin e programit është deri më 31 dhjetor 2032.

EMISIONET