Liqeni i Shkodrës në UNESCO, Piroviq: “Revolucioni i flamingove” paralajmëron rrezikun e betonizimit të zonave të mbrojtura

Liqeni i Shkodrës në UNESCO, Piroviq: “Revolucioni i

Pellgu ujëmbledhës i liqenit të Shkodrës ka arritur një moment historik, duke u certifikuar si zonë ndërkufitare dhe rezervë biosfere nga UNESCO.

Ky zhvillim e kthen këtë zonë, e cila ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në një pikë kyçe me rëndësi globale.

Pas basenit Ohër-Prespë, ky është rasti i dytë i një certifikimi të tillë, i cili pritet të thellojë bashkëpunimin dypalësh, të rrisë shumëllojshmërinë e produkteve turistike dhe të nxisë ekonominë lokale duke ndërthurur natyrën me aktivitetin e qëndrueshëm njerëzor.

E ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, biologia Aurora Piroviq, bëri me dije se pas një pune trevjeçare për përgatitjen e dosjeve administrative dhe shkencore, u arrit të dokumentohej rëndësia e këtij ekosistemi dinamik.

Zona e mbrojtur, e njohur si rezervat natyror i menaxhuar i kategorisë së katërt, është shumë më e gjerë se vetë liqeni.

Ajo përfshin lumenjtë furnizues që zbresin nga Alpet si lumi Buna, Drini dhe Kiri, si dhe habitate të rëndësishme që mbrohen edhe nga konventa Ramsar.

Të dhënat tregojnë se kjo hapësirë përmban florë dhe faunë tepër të rrallë, si zona e zambakëve dhe kolonia e vetme folezuese në Shqipëri e dallëndyshes së detit faqebardhë.

Në të njëjtën kohë, ekosistemi strehon rreth 90 lloje shpendësh të rrezikuar globalisht, përfshirë pelikanin kaçurrel, që gjendet në listën e kuqe të IUCN-së.

Megjithatë, përtej kësaj arritjeje ndërkombëtare, mjedisi në Shqipëri mbetet nën një kërcënim serioz. Pasuritë e zonave të mbrojtura, të cilat përbëjnë rreth 22% të territorit të vendit, kanë nxitur reagime të ashpra qytetare.

Nën moton e mbrojtjes së pelikanit kaçurrel dhe 'revolucionit të flamingove', aktivistët po protestojnë në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' kundër planeve për betonizimin dhe shkatërrimin e këtyre habitateve.

Mesazhi i përcjellë nga shoqëria civile dhe ekspertët është i qartë: natyra duhet të jetë prioritet absolut për qeverinë, në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian ku restaurimi dhe mbrojtja e mjedisit mbeten kritere të panegociueshme.

Kjo sfidë vë përballë detyrimin emergjent për të mbrojtur atë që bota tashmë e ka njohur zyrtarisht si thesar natyror.

PJESE NGA BISEDA

Aurora Piroviq: Së pari, dhënia e një statusi apo një patentimi, certifikimi të gjithë pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës është një krenari tashmë jo vetëm kombëtare, por dhe ndërkombëtare. Tashmë njihet, liqeni i Shkodrës do njihet globalisht jo vetëm si një zonë e rëndësishme për Shqipërinë, për rajonin, për Europën, por edhe më gjerë. Dhënia e një certifikate të tillë rrit jo vetëm vlerat natyrore po themi, dhe vlerat kulturore. Dhënia e një patente të tillë është ndërthurja mes natyrës dhe aktiviteteve njerëzore që tashmë do përfshihen dhe do reflektohen edhe në paketat turistike. Është rasti i dytë i një certifikimi të tillë, zonë ndërkufitare, rezervë biosfere ndërkufitare në UNESCO, pas basenit Ohër-Prespë. Tashmë është edhe pellgu ujëmbledhës i liqenit të Shkodrës që përfshin dy shtetet, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Patentimi i pellgut të ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës jo vetëm do rrisë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në pjesën e monitorimeve, menaxhimit, krijimit të paketave turistike, rritjes së shumëllojshmërisë të produkteve turistike, por ky certifikim patjetër që do rrisë edhe vlerën e gjithë aktiviteteve turistike. Por kjo na vë edhe përballë detyrave dhe detyrimeve apo sfidave.

Pse liqeni i Shkodrës konsiderohet një nga ekosistemet më të rëndësishme në Ballkan?

Aurora Piroviq: Për përgatitjen e dosjes në UNESCO për pellgun ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës u paraqitën dy dosje, një punë trevjeçare: dosja administrative apo teknike dhe dosja shkencore. Dhe pikërisht për vlerat natyrore, historike, kulturore që kanë komunitetet përreth pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës, pra futet edhe aspekti natyror dhe ai social, kulturor e historik, të gjitha këto të kombinuara si një ekosistem dinamik vlerash. Pikërisht këto vlera ishin një ndër kriteret kryesore pse pellgu ujëmbledhës i liqenit të Shkodrës u shpall një zonë e tillë në UNESCO. Pra, në vlerat e biodiversitetit, siç e dimë liqeni i Shkodrës është zonë e mbrojtur e kategorisë së katërt, rezervat natyror i menaxhuar. Nuk përfshihet vetëm pjesa e liqenit, përfshihen dhe gjithë lumenjtë që e furnizojnë duke filluar që nga zona e Alpeve, që sërish është parku më i madh kombëtar në Shqipëri, ku një pjesë e mirë e tyre është pjesë e këtij pellgu. Futet dhe pjesa e ujërave shkarkues si lumi Buna, një pjesë e lumit Drin dhe lumi Kir. Pra harta dhe zonimi që tashmë është pjesë e UNESCO-s është shumë më e gjerë sesa vetë liqeni. Vetë liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna jo vetëm që janë zona të mbrojtura sipas ligjit shqiptar, por janë dhe zona Ramsar sipas konventave ndërkombëtare, me rëndësi të veçantë për biodiversitetin e lartë, habitatet e rralla dhe llojet e rralla të shpendëve.

Na përmendni pak disa nga habitatet e rralla.

Aurora Piroviq: Po themi zona e zambakëve në pjesën lindore të liqenit, ku është edhe i vetmi vend folezimi për dallëndyshen e detit faqe bardhë. Është e vetmja koloni folezuese në Shqipëri. Kemi pelikanin kaçurrel që është ndër llojet e rralla të liqenit të Shkodrës, globalisht i kërcënuar sipas listës së kuqe të IUCN-së. Ka mbi 90 lloje shpendësh të rrezikuar apo të kërcënuar për shkak të aktivitetit njerëzor apo faktorëve të tjerë. Këto lloje të rralla duan patjetër vëmendje dhe të jenë në konsideratë për ruajtjen dhe konservimin e natyrës.

Teksa ju përmendët pikërisht pelikanin kaçurrel, që është bërë edhe moto e protestuesve në fakt prej 12 ditësh në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'.

Aurora Piroviq: Nuk është vetëm pelikani kaçurrel, është revolucioni i flamingove. Faktikisht protesta ka filluar me qëllimin për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Jo më kot e lidha, sepse nëse Shqipëria sot për sot ka rreth 22% sipërfaqe të zonave të mbrojtura, ato nuk janë shpallur për t'u betonizuar apo shkatërruar. Qeveria shqiptare duhet të ketë prioritet natyrën. Për komunitetin europian, një ndër 4 prioritetet është restaurimi dhe mbrojtja e natyrës.

EMISIONET