Bllokohen 5.2 ton turshi me metale të rënda dhe pesticide te ndaluara. Çfarë po konsumojnë qytetarët?

Një alarm serioz për sigurinë ushqimore ngre pikëpyetje të forta mbi produktet që përfundojnë  në tryezat tona çdo ditë.

Analizat laboratorike të kryera në Itali kanë zbuluar se një pjesë e produkteve të kategorisë “turshi” nuk kanë rezultuar të sigurta për konsum.

Pas kërkesës zyrtare që televizioni “Ora News” i ka drejtuar AKU-së, ky institucion na bën me dije se drejt Italisë janë dërguar në total 38 mostra turshish, nga të cilat 37 janë analizuar dhe një është në pritje të daljes së rezultatit.

Katër mostra kanë dalë jokonformë me standardet e sigurisë ushqimore.

Sipas analizave, dy mostra kanë rezultuar me përmbajtje të metaleve të rënda mbi kufirin e lejuar, ndërsa dy mostra të tjera kanë rezultuar me mbetje të pesticideve të ndaluara.

Kjo do të thotë se te një pjesë të produkteve të testuara janë gjetur substanca që sipas standardeve nuk duhet të jenë fare në ushqim ose nuk duhet të jenë në këto nivele.

Mes produkteve që rezultuan me probleme janë identifikuar:

– dy mostra “Kastravec turshi” me origjinë nga Turqia;

– një “Sallatë e përzier e marinuar” me origjinë nga Maqedonia e Veriut;

– si dhe një produkt “Perime turshi” me origjinë nga Elbasani.

AKU bën me dije për “Ora News” se janë bllokuar 5 mijë e 211 kilogramë produkte dhe janë vendosur gjoba ndaj subjekteve përgjegjëse.

Në lidhje me këtë rast, i  kemi kërkuar në mënyre të përsëritur këtij institucioni të na vërë në dispozicion emrat tregtar dhe foto të etiketës së produkteve që ka dalë me probleme.

Sapo të na vihet në dispozicion ky informacion do ta bëjmë publik për të gjithë qytetarët.

Vlen të theksohet se nga 24 mostra të produkteve shqiptare të analizuara, 23 rezultuan të sigurta për konsum, ose rreth 96%, ndërsa problematikat më të mëdha u konstatuan te produktet e importit.

EMISIONET