Indeksimi i pensioneve, Manjani: Përfitojnë të gjitha kategoritë, garantojmë mbrojtjen sociale

Indeksimi i pensioneve, Manjani: Përfitojnë të gjitha

Nga 1 tetori, 767 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë indeksimin e pensioneve në masën 8.6 %.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani në një prononcim për ATSH-në bëri të ditur se ky vendim vjen në kuadër të politikave që ka marrë qeveria për të garantuar një mbrojtje sociale sa më të mirë për shtresat në nevojë me qëllim reduktimin e efekteve të rritjes së çmimeve.

“Në mënyrë të vazhdueshme, si një masë mbrojtëse për të përballuar goditjet e njëpasnjëshme, Qeveria ka ndërmarrë politika që kanë pasur si qëllim forcimin e mbrojtjes sociale, ndaj dhe shpenzimet nga buxheti shtetit kanë ardhur në rritje. Gjatë vitit të kaluar janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%, me efekt financiar 5.4 miliardë lekë”, tha zv/ministrja.

Sipas Manjanit, vendimi parashikon indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve, atyre të pleqërisë, pensioneve të plota, të pjesshme, të reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet, në fshat, pensione që jepen për ndihma të posaçme shtetërore, etj.

Manjani theksoi se mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit për pensionistët është i ndryshëm nga indeksi i popullatës, pasi merr në konsideratë ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët.

“Kjo rritje, mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve”, u shpreh zv/ministrja.

Ky ineksim, vuri në dukje ajo, rrit bazën e pensionit për vitet e ardhshme.

Krahas këtyre rritjeve, Qeveria, ka dhënë edhe bonuset, si ai i fundvitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit.

Ndër të tjera, Manjai shtoi se në fundvit, pensionistët do të përfitojnë bonus në vlerën 5000 lekë.

EMISIONET