Helmimi i dytë brenda 50 ditëve/ Investigimi i Ora News zbuloi shkeljet e “SORI-AL”, por askush nuk ndërhyri

Brenda pesëdhjetë ditëve, Akademia e Sigurisë është kthyer në një spital toksik.

Rreth njëqind studentë janë helmuar masivisht nga ushqimi i ofruar nga kompania "SORI-AL" me administratore Alma Tafanin.

Ky nuk është rasti i një  subjekti privat që  ka dështuar të garantojë sigurinë ushqimore, por është provë e dështimit të institucioneve për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e studentëve.

Ora News ka dokumentuar më herët se gjatë inspektimeve të kryera në kompaninë “SORI-AL”, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishte konstatuar shkelje të qarta ligjore. Sipas dokumenteve të siguruara, subjekti nuk kryente analizat periodike të detyrueshme të ushqimit, një detyrim bazë për çdo operator që furnizon institucione publike.

Ligji parashikon masa të forta për këto shkelje, nga gjoba që variojnë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë, deri në pezullimin e aktivitetit. Por në vend të ndëshkimit, AKU zgjodhi masën më të butë të mundshme: një paralajmërim.

Pasojat e kësaj tolerance po numërohen sot tek studentët e helmuar.

Edhe më shqetësuese janë pikëpyetjet që shoqëruan hetimin e rastit të parë të helmimit në muajin maj. Kur Ora News kërkoi transparencë mbi mostrat e ushqimit të analizuara pas ngjarjes, AKU deklaroi se kishte ekzaminuar makarona, pilaf, fasule, sallam dhe kos.

Por çfarë ndodhi me gjellën me patate dhe tavën me presh e mish, ushqime që sipas të dhënave janë konsumuar nga studentët ditën e helmimit?

Përgjigjja e AKU-së jo vetëm që nuk sqaroi situatën, por ngriti dyshime të reja.

Institucioni pretendon se mostrat e këtyre ushqimeve janë marrë nga institucione të tjera, por refuzon të bëjë publik emrin e tyre dhe rezultatet e analizave.

Kush i mori mostrat? Çfarë treguan analizat? Pse rezultatet mbeten të fshehta kur bëhet fjalë për shëndetin e dhjetëra studentëve?

Sot, pas helmimit të dytë masiv, këto pyetje marrin një peshë edhe më të rëndë.

Përsëritja e ngjarjes nuk mund të konsiderohet më incident i izoluar. Dy helmime masive në më pak se dy muaj tregojnë një problem sistemik, një dështim të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes.

Alarmi nuk është më vetëm për cilësinë e ushqimit të servirur në Akademinë e Sigurisë. Alarmi është për mënyrën se si shteti reagon ,ose nuk reagon kur jeta dhe shëndeti i studentëve vihet në rrezik për herë të dytë brenda pak javësh.

Dhe pyetja që mbetet pa përgjigje është : sa studentë duhet të helmohen që dikush të mbajë përgjegjësi?

EMISIONET