Emigrant në SHBA/ Si ta kontaktoj Qendrën Kombëtare të Vizave dhe të mësoj kur procesohet viza

Avokati amerikan Kieran Both iu është përgjigjur të tjerave pyetje nga qytetarë shqiptarë të interesuar për emigracion në SHBA.

Emigrant në SHBA/ Si ta kontaktoj Qendrën Kombëtare të

Fatkeqësisht, Qendra Kombëtare e Vizave (NVC) nuk ka rifilluar ende të ofrojë shërbimin telefonik përmes të cilit mund të kërkosh informacion lidhur me ecurinë e çështjes. NVC-ja po e kthen sistemin e saj telefonik në VOIP (“voice over internet protocol”), një shërbim që mundëson thirrjet telefonike përmes internetit, dhe gjithashtu do të kalojë në një fazë tranzicioni teknik. Kështu që duhet pritur derisa të përfundojë ky proçes. 

Në natyrën e tij, roli i NVC-së është administrativ dhe konsiston në mbledhjen e dokumentave dhe peticioneve me qëllim krijimin e një dosjeje të plotë të çështjes. Ndonëse për shumë nga dokumentat egziston një lloj uniformiteti, çdo ambasadë ka suplementet e saj që ofrojnë udhëzimet e nevojshme. Është mirë t’i referoheni këtyre udhëzimeve në kohën kur përgatiteni për t’i paraqitur dokumentat NVC-së si dhe gjatë fazës së përgatitjes për intervistë. 

NVC-ja po nxit fort përdorimin e shërbimit të ofruar në internet Public Inquiry Form për t’u informuar për çështjen si dhe për të marrë përgjigje për pyetjet apo për shqetësime të ndryshme. Sipas NVC-së, koha që nevojitet për të marrë përgjigje për pyetjet e paraqitura përmes shërbimit Public Inquiry Form është disa ditë.

Shërbimin Public Inquiry Form mund ta gjeni në këtë adresë interneti: https://travel.state.gov/content/travel/en/us-visas/visa-information-resources/ask-nvc.html. 

Përgjigjet për pyetjet e bëra nëpërmjet Public Inquiry Form do të vijnë nga [email protected]. Ju lutemi që të mos i dërgoni pyetjet direkt në atë adresë interneti, pasi ashtu nuk do të “bien në dorë” të NVC-së. Avokati që ju përfaqëson duhet të tregojë në formular, poshtë vendit ku shkruhet “Who are you” që interesimi për çështjen po bëhet nga avokati. Diçka e tillë bën që kërkesa të dërgohet për shqyrtim në një “kuti” të brendshme të veçantë. Nëse nuk keni marrë përgjigje brenda afatit kohor ose çështja duhet përshpejtuar pasi e keni përdorur shërbimin Public Inquiry Form, atëhere duhet të paraqisni një tjetër kërkesë për marrje informacioni, përmes të njëjtit portal dhe në fillim të mesazhit duhet të shkruani “ATTENTION PI SUPERVISOR”. Duhet të përmendni gjithashtu numrin e tentativave të mëparshme për komunikim dhe mungesën e një përgjigjeje nga ana e NVC-së si dhe të paraqisni kopje të këtyre kërkesave për marrje informacioni.

Afatet kohore të NVC-së

Më poshte po japim kohët e procesimit të çështjeve të NVC-së. Ky informacion përditësohet një herë në javë nga NVC-ja në adresën https://travel.state.gov/content/travel/en/us-visas/immigrate/nvc-timeframes.html Ju lutemi që t’i referoheni kësaj faqe për të parë nëse duhet të kishit marrë ndërkohë një përgjigje nga NVC-ja. Nëse sipas afateve kohore më poshtë, del se duhet t’ju kishte ardhur ndërkohë një përgjigje, ju lutemi të kontaktoni NVC-në duke përdorur shërbimin Public Inquiry Form.

Afati kohor aktual për krijimin e dosjes së plotë të çështjes: 

Që prej datës 24 prill, 2023 NVC-ja po merret me çështjet që i janë paraqitur USCIS-it më 14 prill, 2023. Në momentin kur USCIS-i ju dërgon formularin e njoftimit të aprovimit I-797, peticioni apo kërkesa e aprovuar i kalon NVC-së për procesim. NVC-ja krijon dosjen e çështjes për vizë dhe fut të dhënat përkatëse në sistem. Pas krijimit të çështjes, NVC-ja ju dërgon udhëzimet lidhur me procesimin e çështjes si dhe letrën e mirëseardhjes (Welcome Letter) që përmban numrin e çështjes suaj (Case Number) si dhe numrin e faturës (invoice ID). Këto dy numra do t’ju nevojiten për t’u kyçur në faqen e qendrës së aplikimeve elektronike konsullore Consular Electronic Application Center (CEAC) (https://ceac.state.gov). 

Afati kohor aktual për shqyrtimin e çështjes:

Që prej datës 24 prill, 2023, NVC-ja po merret me shqyrtimin e çështjeve të paraqitura më 10 prill, 2023. Përpara se NVC-ja të shqyrtojë çështjen tuaj, duhet të paguani të gjitha tarifat përkatëse si dhe të paraqisni dokumentat që ju kërkohen si p.sh. formularin e garancisë Affidavit of Support të peticionerit; dokumentat financiarë që lidhen me çështjen; Aplikimin për vizë DS-260 si dhe dokumentat e gjendjes civile të aplikantit. Dokumentat që kërkohen variojnë në varësi të kërkesës së paraqitur. Shfrytëzojeni këtë kohë për të shqyrtuar llojet e dokumenteve të gjendjes civile që ju duhen si dhe për mënyrën se si t’i gjeni ato, si dhe për t’u informuar lidhur me formularët apo informacionin që i nevojiten peticionerit tuaj për të provuar se ai ose ajo është në gjendje që t’ju mbështesë financiarisht. Mbajeni letrën tuaj të mirëseardhjes (Welcome Letter) në një vend të sigurt, sepse informacioni që përmban ajo letër do t’ju shërbejë për t’u identifikuar kur të kyçeni në faqen CEAC, gjatë gjithë procesit për marrjen e vizës.

Afati kohor aktual për të marrë përgjigje:

Që prej datës 24 prill, 2023, NVC-ja u është përgjigjur kërkesave për informacion të paraqitura më 19 prill, 2023. Sipas NVC-së, ky informacion përditësohet çdo javë ndaj dhe NVC-ja ju bën thirrje që të bëni një kërkesë tjetër vetëm në rast se nuk keni marrë përgjigje në email brenda afatit kohor që ka publikuar si më lart. Kërkimet e dyfishta (të panevojshme) thjesht e ngadalësojnë aftësinë e NVC-së për të kthyer përgjigje në kohë.

Kërkesa për aplikim për vizë brenda vitit:

Seksioni 203(g) i ligjeve të emigracionit (INA) parashikon që Sekretari i Shtetit do ta quajë të mbyllur regjistrimin (peticionin) e çdo të huaji që nuk arrin të aplikojë për vizë emigruese brenda një viti nga momenti që ka marrë njoftimin që ka një vizë të disponueshme për të.

Kërkesa mund të ribëhet e vlefshme nëse, brenda dy viteve nga njoftimi për disponueshmërinë e vizës, i huaji vërteton se arsyeja për të cilën nuk ka mundur të aplikojë ka qenë diçka që nuk varej prej tij/saj. Prandaj, nëse nuk i përgjigjeni njoftimeve nga NVC-ja brenda një viti, rrezikoni që sipas këtij seksioni të ligjit, t’ju anullohet peticioni si dhe të humbisni përfitimet që vijnë prej tij, siç është data juaj prioritare. / Illyria

EMISIONET