“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Sejko: Norma të ulëta interesi dhe garanci sovrane deri në 70% të kolateralit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të Programit Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisë, sektorit bankar, komunitetit të biznesit dhe institucioneve publike.
Në kuadër të panelit të parë të aktivitetit, me temë “Financimi si motor i zhvillimit ekonomik”, Guvernatori Sejko mori pjesë në diskutim së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe Kryetarin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella.
Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e nxitjes së investimeve private, forcimin e partneritetit ndërmjet qeverisë, sistemit bankar dhe biznesit, si dhe rolin e Programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” në mbështetjen e sipërmarrjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, duke nënvizuar rolin e tyre në krijimin e vendeve të punës dhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Ai u ndal te përmirësimet e bëra në Programin Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, të cilat përfshijnë zgjatjen e afatit të financimit dhe rritjen e shumës maksimale të financimit, masa që synojnë të zgjerojnë mundësitë e financimit dhe investimit për bizneset.
Guvernatori vuri në dukje se programi ofron kushte financimi veçanërisht favorizuese, me norma të ulëta interesi dhe me garanci sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit, duke lehtësuar aksesin e bizneseve në financim.
Në përfundim, Guvernatori Sejko u bëri thirrje bankave të jenë proaktive në zbatimin e programit dhe bizneseve të shfrytëzojnë mundësitë që ai ofron, duke theksuar se kjo nismë do të kontribuojë jo vetëm në zgjerimin e kreditimit, por edhe në diversifikimin e portofolit të bankave dhe forcimin e aktivitetit sipërmarrës në vend.
Ai shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin me Qeverinë Shqiptare dhe sektorin bankar në hartimin dhe zbatimin e programit, dhe shprehu besimin se gjatë këtij viti programi do të sjellë rezultate edhe më të mira në financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.


