Integrimi në BE/ Shqipëria mbyll kapituj negociatash, Kamberi: Procesi teknik ecën përpara, objektivi mbetet anëtarësimi deri në 2030

Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, duke mbyllur përkohësisht disa kapituj të negociatave me Bashkimin Evropian. Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Geron Kamberi, deklaroi në një intervistë për “Ora News” se ky zhvillim përbën një vlerësim të përmbushjes së disa standardeve dhe detyrimeve të vendit në kuadër të procesit negociues.

Sipas Kamberit, bëhet fjalë për kapituj që lidhen me fusha si kërkimi shkencor, arsimi i lartë dhe marrëdhëniet me jashtë, të cilët konsiderohen të mbyllur përkohësisht deri në përfundimin e plotë të negociatave.

“Komisioni Evropian e konsideron të përmbyllur procesin e përmbushjes së standardeve dhe detyrimeve që ka Shqipëria në këto kapituj”, u shpreh eksperti.

Duke u ndalur te kapitulli për marrëdhëniet me jashtë, Kamberi theksoi se Shqipëria e ka pasur më të lehtë për shkak të orientimit të saj të qartë euro-atlantik, ndryshe nga vende të tjera të rajonit.

Sipas tij, politika e jashtme shqiptare pas viteve ’90 ka pasur si objektiv strategjik integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke shmangur dilemat që kanë karakterizuar qasje të tjera në rajon.

“Kjo ka qenë një politikë e përbashkët e të gjitha forcave politike në Shqipëri, ku integrimi euro-atlantik ka qenë drejtimi kryesor”, tha Kamberi.

Eksperti sqaroi gjithashtu se mbyllja e kapitujve nuk do të thotë që Shqipëria ka arritur menjëherë standardet e vendeve më të zhvilluara evropiane në fusha të caktuara, por se janë përmbushur kërkesat për harmonizimin e kuadrit ligjor dhe bashkëpunimin me institucionet evropiane.

Sipas tij, veçanërisht në arsim dhe kërkim shkencor, ky proces i hap më shumë mundësi institucioneve shqiptare për të marrë pjesë në programet e Bashkimit Evropian dhe për të bashkëpunuar me universitetet e institucionet kërkimore evropiane.

Kamberi bëri edhe dallimin mes anëtarësimit dhe integrimit, duke theksuar se procesi i integrimit do të vijojë edhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Anëtarësimi është procesi për të cilin Shqipëria po negocion, ndërsa integrimi është një proces që vazhdon edhe pas anëtarësimit”, u shpreh ai.

Eksperti shprehu shpresën që objektivi i Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian të përmbushet brenda afatit të synuar, deri në vitin 2030.

Geron Kamberi: Është, bëhet fjalë për një mbyllje kapitujsh të përkohshëm. Pra, nga pikëpamja teknike, Komisioni Evropian i cili negocion me qeverinë shqiptare nëpërmjet grupeve ndërinstitucionale të punës apo të ashtuquajturave grupe negociatore për çdo grup kapitull, në këtë rast në disa grupe kapitujsh, në grup kapitullin 3 ku bën pjesë kapitulli 25 dhe 26 për kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë dhe grup kapitullin 6 që janë marrëdhëniet me jashtë, që është kapitulli 30 dhe disa kapituj të tjerë, konsiderohen të mbyllur përkohësisht.

Që do të thotë, deri në momentin që përmbyllen plotësisht negociatat, që është parashikuar fundi i vitit 2027, këta kapituj nuk kanë më nevojë për t'u rikthyer. Pra, nga ana e Komisionit Evropian quhet i përmbyllur procesi i përmbushjes së standardeve dhe detyrimeve që ka Shqipëria në këto kapituj. Për sa i përket grup kapitullit 30 që ka lidhje me marrëdhëniet me jashtë, për hir të së vërtetës Shqipëria e ka pasur më të lehtë se çdo vend tjetër në rajon, në qoftë se do të krahasojmë këtu rastin e Serbisë i cili ka ngecur pikërisht në këtë kapitull për shkak të asaj që quhet politika e jashtme trilematike apo dilematike që ka Serbia, që herë është me Rusinë, herë është me Bashkimin Evropian, herë me vende të tjera, herë me Kinën edhe për shkak të historisë që trashëgon Serbia sipas asaj së ish-Jugosllavisë që ka qenë një nga themeluesit e asaj që quhet lëvizja e të paangazhuarve.

Pra, politika e jashtme e Serbisë nuk ka qenë do të thoja një politikë e cila mbështetet vetëm në një drejtim apo në dy shtylla të caktuara, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, siç është rasti i politikës së jashtme shqiptare, i cili përkufizohet në atë togfjalëshin integrimi euro-atlantik. Dhe kjo ka qenë që pas rënies së komunizmit dhe deri më tani, dhe ka qenë e përbashkët për çdo parti politike në Shqipëri.

Nga kjo pikëpamje Shqipëria e ka pasur më të lehtë për këtë kapitull, sepse nuk ka pasur në asnjë moment dilema se çfarë politike të jashtme do të ndjekë, qoftë dhe për shkak të trashëgimisë. Që pas rënies së komunizmit, e gjithë politika shqiptare u vendos dhe vuri si objektiv strategjik dhe politik integrimin në Bashkimin Evropian dhe integrimin në NATO. Tashmë integrimi në NATO është përmbyllur që prej 2009-ës si objektiv, edhe për shkak të natyrës gjeopolitike që kanë përshkallëzuar situatat në rajon edhe më gjerë.

Dhe urojmë dhe shpresojmë që edhe vetë objektivi për t'u anëtarësuar Shqipëria në Bashkimin Evropian të përmbyllet brenda atij kufiri kohor që është përcaktuar të paktën deri në 2030-ën. Pra, nga një pikëpamje e përgjithshme për ta përmbledhur të gjithë historinë e mbylljes së këtyre kapitujve, dy kapitujt 25-ta dhe 26-ta janë kapituj që kanë të bëjnë me politikat shtetërore të shtetit shqiptar.

Pra, Bashkimi Evropian aty më shumë ka kompetenca mbështetëse, pra nuk ndikon e nuk i thotë një shteti se si ta bëjë arsimin e lartë, arsimin parauniversitar e të tjerë e të tjerë, por e shtyn dhe e nxit që ai aty të investojë sa më shumë në mënyrë që ai t'i përafrohet zonës evropiane të arsimit dhe zonës evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Kjo edhe për ata që na dëgjojnë, për të kuptuar ndoshta cila është arsyeja që këto ishin të parat  që u mbyllën. Natyrisht, zbatimi unë e kam thënë dhe herë të tjera që duhet të ndajmë midis fazës së anëtarësimit dhe fazës së integrimit. Pra, anëtarësimi është një proces për të cilin Shqipëria po negocion. Dhe integrimi është një proces që do vazhdojë dhe mbas anëtarësimit.

Pra, Shqipëria do të bëhet pjesë e zonës Euro, pjesë e zonës Schengen, ka vende që janë anëtarësuar tashmë prej dhjetëra vitesh dhe ende vazhdojnë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Unë do të doja që edhe ndoshta ka dhe një keqkuptim edhe për opinionin publik që krijohen ca mite urbane që mbyllja e një kapitulli për arsimin do të thotë që arsimi apo një fushë e caktuar i ngjan Italisë, Francës, Gjermanisë.

Nuk bëhet fjalë për të tilla, thjesht për t'u zhveshur. Jo. Shqipëria në fushën e arsimit, në atë të arsimit të lartë dhe shkencës ka përmbushur disa detyrime në mënyrë që të ndërveprojë lehtësisht me zonën evropiane të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe të Bashkimit Evropian.

Që do të thotë që universitetet shqiptare, institucionet kërkimore shqiptare, kanë më tepër financime por edhe një kuadër ligjor të përshtatshëm që e bën lehtësisht bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e tyre me universitetet dhe institucionet kërkimore shkencore që janë në Evropë.

Dhe në momentin që Bashkimi Evropian nëpërmjet Komisionit ka vlerësuar që këto elementë janë të përmbushur në këto dy kapituj, atëherë kjo nënkupton që Shqipëria e ka të lehtë të marrë pjesë në të gjithë programet e Bashkimit Evropian që lidhen me arsimin e lartë, shkencën, kulturën e kështu me radhë. Dhe vetë kuadri ligjor në Shqipëri nuk pengon asnjë nga aktorët e këtyre dy fushave të ndërveprojë me institucionet në Bashkimin Evropian.
 

EMISIONET