“Daily Express”: Shqipëria konfirmon suksesin turistik, renditet e para mes destinacioneve më të lira në Evropë

Studimi i realizuar nga kompania britanike e kartave të kreditit “Aqua” e rendit Shqipëri në vendin e parë mes destinacioneve më të lira për pushime verore në Evropë në vitin 2026, sipas të përditshmes britanike “Daily Express”.
Analiza, e cila krahasoi koston e një qëndrimi njëjavor në destinacione turistike në Britaninë e Madhe dhe në Evropë, vjen në një kohë kur 47% e britanikëve që planifikojnë të udhëtojnë, kanë vendosur të ulin shpenzimet për shkak të rritjes së kostos së fluturimeve.
Sipas studimit, Shqipëria ofron raportin më të mirë mes kostos dhe përvojës së pushimeve, me fluturime vajtje-ardhje që kushtojnë mesatarisht rreth 100 paund.
Ndërsa një javë akomodim për dy persona gjatë muajit korrik, ofrohet me një kosto mesatare prej 381 paundësh (rreth 447 euro).
Në mesin e 10 destinacioneve më të lira renditet edhe qyteti bregdetar britanik Blackpool, i cili është zgjedhja më ekonomike për turistët, që preferojnë pushimet brenda Britanisë së Madhe.
Ky vlerësim vjen ndërsa turizmi shqiptar vijon të shënojë rritje të fortë.
Numri i vizitorëve në vend u rrit me 89% në vitin 2025 krahasuar me vitin 2019, duke e bërë Shqipërinë destinacionin turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë.
10 destinacionet më të lira në Evropë për pushime verore në vitin 2026:
1. Shqipëri
2. Pragë
3. Porto
4. Madrid
5. Lisbonë
6. Costa del Sol
7. Budapest
8. Tenerife
9. Blackpool
10. Lanzarote


