Nafta në rritje, Muço: Transporti dhe turizmi mund të përballen me kosto më të larta
Nivelet e çmimeve të naftës po arrijnë shifra të papara ndonjëherë, si pasojë e zhvillimeve më të fundit gjeopolitike.
Pas deklaratave të ndërsjella mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për shkelje të marrëveshjeve të mëparshme, situata ka agravuar me fillimin e bombardimeve.
Ky konflikt ka dhënë një goditje të menjëhershme në bursa, të cilat janë tejet të ndjeshme ndaj ngjarjeve të tilla, duke shkaktuar një rritje tepër të shpejtë të çmimit të arit të zi.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora news", ekonomisti Klodian Muço, u shpreh se pasojat e kësaj situate nuk mbeten vetëm në tregun e karburanteve. Efektet zinxhir pritet të rëndojnë drejtpërdrejt mbi konsumatorët. Rritja e çmimit të naftës reflektohet menjëherë në kostot e transportit dhe logjistikës, veçanërisht për mallrat që importohen nga vende të largëta.
"Çmimet e naftës s'kanë rënë, përkundrazi po shohim nivele të papara ndonjëherë, le të themi.
Në ditët e fundit, për arsye të një shkelje të marrëveshjes që Irani nga një anë dhe Amerika nga ana tjetër po deklarojnë që u shkel kjo marrëveshje.
Kanë filluar pra bombardimet e ditës së djeshme dhe kjo automatikisht, bursa është e tillë që është shumë e ndjeshme ndaj këtyre konflikteve, automatikisht ka pasur një rritje të shpejtë të çmimit të naftës në bursë.
Uroj që kjo, le të themi, ky konflikt të mbyllet shumë shpejt për vetë faktin që qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë nga Irani, është deklaruar që ka qenë një shkelje marrëveshje nga partneri tjetër apo nga kundërshtari tjetër, kështu që do gjejnë gjuhën shumë shpejt.
Kush janë pasojat? Pasojat ne i kemi parë tashmë në muajt e kaluar, ku ndërhyrja ka çuar në çmimet e naftës, çmimet e naftës pastaj çojnë në rritjen e çmimit të transportit, të logjistikës, kryesisht ato që vijnë nga vendet e largëta, kështu që pamë se si filloi që të kishim një rritje të ndjeshme të çmimeve në tërësi, jo vetëm të produkteve të naftës.
Pamë tek fruta-perimet, që në momente të caktuara, produkte të caktuara të perimeve arritën në çmime që nuk i kishim parë kurrë më parë. Kjo edhe për arsye se nafta dhe nënproduktet e saj lidhen ngushtë me sektorin bujqësor. Një pjesë e pesticideve bujqësore prodhohen pikërisht nga nënproduktet e naftës, kështu që automatikisht efektet janë shumëdimensionale.
Kështu që uroj që të zgjidhet shpejt ky tension dhe të kthehemi në normalitet. Aq më tepër që jemi në kulmin e sezonit turistik tashmë, jemi në muajin korrik, në javën e dytë të korrikut, që fillon, le të themi, fillon sezonin turistik", u shpreh Klodian Muço.
Ndiqni intervistën e plotë:

