AdZM Shkodër apel operatorëve turistikë: Shmangni lëvizjen në zonat e folezimit të shpendëve

AdZM Shkodër apel operatorëve turistikë: Shmangni lëvizjen

Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër u ka bërë thirrje guidave turistike dhe operatorëve që zhvillojnë ture në Rezervatin Natyror të Menaxhuar (RMN) Liqeni i Shkodrës të tregojnë kujdes të veçantë gjatë lëvizjes me mjete lundruese në zonat e mbuluara me zambakë uji.

Sipas apelit, këto habitate përbëjnë zona të rëndësishme folezimi dhe strehimi për shumë lloje shpendësh, mes tyre edhe dallëndyshja faqebardhë e detit.

Autoritetet theksojnë se hyrja e vazhdueshme me mjete lundruese në këto zona shkakton shqetësim gjatë periudhës së folëzimit, duke rrezikuar braktisjen e foleve, dëmtimin e vezëve dhe uljen e suksesit riprodhues të kësaj specieje, e cila ka një rol të rëndësishëm në biodiversitetin e Liqenit të Shkodrës.

Në kuadër të mbrojtjes së vlerave natyrore të rezervatit, guidat dhe operatorët turistikë ftohen të shmangin hyrjen në zonat me zambakë ku evidentohen koloni folezimi, të respektojnë distancat e sigurisë nga habitatet e shpendëve, të informojnë turistët mbi rëndësinë e mbrojtjes së faunës së egër dhe të kontribuojnë në promovimin e turizmit të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër (AdZM) thekson se ruajtja e biodiversitetit është një përgjegjësi e përbashkët, ndërsa bashkëpunimi i operatorëve turistikë është thelbësor për të garantuar që liqeni i Shkodrës të mbetet një strehë e sigurt për shpendët dhe një destinacion natyror i veçantë për brezat e ardhshëm.

EMISIONET