VIDEO/ Liqenet akullnajore të Dhoksit në Bulqizë, Rama: Një vend që ia vlen ta vizitoni këtë verë

Liqenet akullnajore të Dhoksit janë kthyer vitet e fundit në një prej destinacioneve më të veçanta të turizmit natyror në zonën e Bulqizës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga këto liqene, një pasuri natyrore me potencial të madh për zhvillimin e turizmit dhe nxitjen e vizitorëve drejt destinacioneve më pak të eksploruara të vendit.

“Liqenet Akullnajore të Dhoksit, në Bulqizë, një vend që ia vlen ta vizitoni këtë verë”, shkruan Rama.

Gjashtë liqenet akullnajore të Dhoksit ndodhen në një zonë malore të Bulqizës, në lartësi mbi nivelin e detit dhe janë formuar nga veprimtaria e akullnajave. Ndër to spikat liqeni i Skënderit me sipërfaqe 3,2 hektarë, i Koçhysës me sipërfaqe maksimale 3 ha, liqeni i Thatë (Duriçeve) me sipërfaqe maksimale prej 4,5 ha, i Gjuricës (1,5 ha), si dhe dy liqene tek Gatelli (nga 0,5-1 ha). Ato dallohen për ujërat e thella e të kristalta, peizazhin alpin dhe biodiversitetin e pasur, duke tërhequr çdo vit gjithnjë e më shumë turistë, alpinistë dhe të apasionuar pas natyrës.

Liqenet arrihen zakonisht nga fshatrat përreth Bulqizës përmes shtigjeve malore. Rruga kërkon ecje në terren malor dhe rekomandohet të vizitohen gjatë pranverës, verës ose fillimit të vjeshtës, kur kushtet janë më të favorshme.

EMISIONET