Kishin dalë për të rikthyer energjinë, dy elektriçistë në Gjirokastër mbyten në lumin Drino

Ngjarje tragjike në Gjirokastër. Dy elektriçistë, punonjës të OSHEE humbën jetën në ujërat e lumit Drino teksa ishin në krye të detyrës. Selfo Kallfa 52 vjeç dhe Ismet Isaraj 64 vjeç kishin dalë për monitorimin e një defekti në rrjetin shpërndarës, por makinën me të cilën udhëtonin e mori rrjedhja e ujit teksa tentuan të kalojnë mes lumit. Trupat e pajetë u nxorrën këtë mëngjes nga forcat RENEA.

Dy elektriçistë humbën jetën në ujërat e lumit Drino në Gjirokastër ndërsa po shkonin të riparonin një defekt në linjat e energjisë elektrike.

Viktima të ngjarjes tragjike mbetën Selfo Kallfa 52 vjeç dhe Ismet Isaraj 64 vjeç.

https://youtu.be/wpZ5rQYmFkE

Ata ishin nisur gjatë natës drejt fshatit Asim Zeneli, ku ishte konstatuar një defekt dhe kanë tentuar që të kalojnë me makinën e punës përmes lumit për të dalë në anën tjetër.

Por rrjedhja e fortë e ka marrë mjetin dhe i ka bllokuar dy burrat mes ujit.

Ngjarja u shënua rreth 30 minuta pas mesnate.

Një prej tyre ka arritur të japë alarmin dhe ka ngritur në këmbë policinë, zjarrfikësen e autoritetet e tjera lokale.

Por kur ata mbërritën ishte shumë vonë. Punonjësit e OSHEE kishin humbur jetën brenda mjetit, ku dyshohet se u mbytën.

Deri në orët e para të mëngjesit pati tentativa për të nxjerrë trupat e pajetë, por ishte e pamundur për shkak të thellësisë së lumit dhe temperaturave të ulta.

Trupat e pajetë të elektriçistëve Selfo Kallfa dhe Ismet Isaraj u arrit të nxirren vetëm rreth orës 09:00 të mëngjesit, pas mbërritjes së polumbarëve të forcave RENEA.

Policia e Prokuroria e Gjirokastrës thonë se kanë nisur një hetim për sqarimin e rrethanave të ngjarjes ku dy punonjësit e OSHEE humbën jetën në krye të detyrës.

https://youtu.be/cXOVblwP5F0

Njoftimi i policisë për ngjarjen

Rreth orës 00:30, në shtratin e lumit Drino, një automjet të OSHEE-së, në përpjekje për të kaluar lumin, e ka marrë rrjedha e lumit dhe për pasojë kanë humbur jetën dy elektricistët që ndodheshin në mjet, shtetasit I. I., 64 vjeç dhe S. K., 52 vjeç banues në Gjirokastër.

Trupat e të dy shtetasve u nxorën nga polumbarët e RENEA-s. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Vendi Lajme Lajmi i fundit aksident gjirokaster Aktualitet

EMISIONET