Durrës, sulmi me armë zjarri vret babain, plagoset i biri dhe një person tjetër
Shënohet sërish një tjetër rast përplasje me armë zjarri në Durrës.
Një person mbeti i vrarë, ndërsa dy të tjerë u plagosën mbrëmjen e sotme pas një sherri në qytet.
Ngjarja u regjistrua në lagjen Nr.13, te sektori Teuta i plazhit rreth orës 20:00.
Mësohet se 2 shtetas, babë e bir, janë përfshirë në konflikt, shkaqet e të cilit akoma nuk dihen.
Për fat të keq një prej tyre, shtetasi Armando Baboçi, 39 vjeç, nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në spital.
I plagosuri tjetër, i biri i tij, shtetasi Erald Gjini, 19 vjeç, djali i tij por që kishte ndryshuar mbiemrin, ndodhet nën kujdesin e mjekeve në spitalin rajonal të Durrësit.
Po ashtu, është paraqitur i lënduar në Urgjencën e Spitalit Durrës, shtetasi E.T., për të cilën grupi hetimor po punon për sqarimin nëse ka lidhje me këtë ngjarje.
"Më datë 18.09.2020, rreth orës 20:00, në lagjen nr.13. Durrës, pas një konflikti të çastit me mjete të forta e më pas me armë zjarri midis disa personve, janë plagosur me armë zjarr shtetasit A.B., dhe E.Gj., të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës 6 shtetas dhe mes tyre është autori i ngjarjes, por nuk jepen të dhëna për shkak të hetimit." - njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Sipas dëshmive në vendngjarje janë dëgjuar 3 krisma pistolete.

