Kryeministri Edi Rama është nisur sot rreth orës 08:45 nga Ankaraja drejt Athinës ku do të zhvillojë një takim me autoritetet greke, raporton gazetarja e Ora News, Fiorela Beleshi.

Kryeministri pritet të kthehet në Shqipëri brenda ditës, ndërsa drejt Greqisë është nisur i vetëm, pa delegacionin që e shoqëroi gjatë vizitës dy ditore në Turqi.

Në një postim të tijin në Twitter, Rama shkruan:

Në Athinë për një drekë pune me Kryeministrin Mitzotakis,për të diskutuar mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid19; forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve;bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të rajonit tonë“.

Në Athinë, Rama do të takohet me kryeministrin Kiriakos Mitsotakis dhe ministrin e jashtëm Nikos Dendias, ndërsa takimi është jozyrtar, raporton Ora News.

Vizita e Ramës në Athinë vjen pas takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i cili ka sjellë mjaft reagime në shtypin grek, të cilat e akuzojnë Ramën për “lojë të dyfishtë”.

Lexo edhe:

Aleati më “besnik” i Erdogan në rajon, “Protothema”: Rama po luan një “një lojë të dyfishtë”

Një ndër temat që priten të diskutohen në takime është edhe ajo e çështjes së detit Jon.

Gjatë vizitës dy-ditore në Ankara, kryeministri Edi Rama shoqërohej nga ministrat Bledi Çuçi, Arben Ahmetaj, Evis Kushi, Elva Margariti si dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

/a.r,OraNews