Zhduket bashkëshorti i ministres italiane në liqenin Vico, kërkime intensive prej 24 orësh

Zhduket bashkëshorti i ministres italiane në liqenin Vico,

Një ditë pushimi në liqenin Vico, në rajonin italian të Lazios, është kthyer në një ngjarje të rëndë për ministren e Familjes në Itali, Eugenia Roccella, pasi bashkëshorti i saj, Luigi Cavallari, 84 vjeç, rezulton i zhdukur prej më shumë se 24 orësh.

Sipas të dhënave paraprake, çifti kishte marrë me qira një varkë dhe po lundronte në liqen kur Cavallari është hedhur në ujë për t’u freskuar nga temperaturat e larta. Pak çaste më pas, ai ka dalë në sipërfaqe duke u ankuar se nuk ndihej mirë dhe nuk ka arritur të rikthehet në varkë, e cila nuk ishte e ankoruar. Ministrja ka njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.

Ngjarja ka ndodhur në liqenin Vico, një liqen me origjinë vullkanike rreth 70 kilometra larg Romës, i njohur për temperaturat e ulëta në thellësi dhe rrymat e forta nënujore. Hetuesit po shqyrtojnë si pistë kryesore një shok termik të shkaktuar nga kontrasti mes temperaturës së lartë të ajrit dhe ujit të ftohtë, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e tërheqjes nga rrymat.

Kërkimet vijojnë prej më shumë se 24 orësh pa rezultat. Në operacion janë angazhuar zhytës të zjarrfikësve, karabinierëve dhe Guardia di Finanza, si dhe një robot nënujor me kamera nate. Një helikopter po kontrollon zonën nga ajri.

Autoritetet thonë se operacioni është i vështirë për shkak të shikueshmërisë së ulët në ujë dhe temperaturave të ulëta në thellësi, ndërsa shpresat për gjetjen e tij gjallë po zbehen.

Luigi Cavallari është profesor në Universitetin “Gabriele d’Annunzio” në Chieti-Pescara dhe studiues në fushën e teknologjisë së arkitekturës. Ai dhe ministrja Roccella janë të martuar prej dekadash dhe kanë dy fëmijë.

EMISIONET