Vala e të nxehtit në Evropë lë mbi 1,300 viktima/ Temperatura thyejnë rekord, arrijnë deri në 41.7°C

Vala e të nxehtit në Evropë lë mbi 1,300 viktima/

Evropa po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit që ka shkaktuar mbi 1,300 viktima që nga 21 qershori, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Temperaturat kanë thyer rekorde në disa vende të kontinentit, duke sjellë pasoja të rënda në shëndet dhe infrastrukturë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e ka cilësuar stresin nga nxehtësia si një “vrasës të heshtur”, duke theksuar se shumë ndërtesa dhe hapësira pune në Evropë nuk janë të përshtatura për temperatura kaq të larta.

Në Gjermani është regjistruar temperatura më e lartë në historinë e vendit, 41.7 gradë Celsius në Coschen, pranë kufirit me Poloninë. Rekorde të reja janë shënuar edhe në Poloni me 40.5 gradë dhe në Republikën Çeke me 41.1 gradë Celsius.

Edhe Franca është prekur rëndë nga vala e të nxehtit. Autoritetet shëndetësore raportojnë rreth 1,000 vdekje më shumë se zakonisht që nga fillimi i valës, kryesisht te personat mbi 65 vjeç. Po ashtu, janë regjistruar të paktën 74 mbytje në lumenj, liqene dhe zona ujore.

Sipas OBSH-së, Evropa po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër, me ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale. Organizata paralajmëron se valët e tilla të të nxehtit po bëhen më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike.

Në disa vende janë marrë masa të posaçme. Në Holandë është anuluar festivali Defqon.1, ndërsa në Paris janë kufizuar aktivitetet publike dhe është rritur gatishmëria e shërbimeve të emergjencës.

Meteorologët shpjegojnë se vala është shkaktuar nga fenomeni i “kupolës së nxehtësisë”, ku një masë ajri i nxehtë mbetet e bllokuar mbi një zonë, duke rritur temperaturat dhe duke penguar formimin e reve.

 

EMISIONET