Trump njofton marrëveshje të afërt me Iranin, por Teherani mohon nënshkrimin e menjëhershëm

Marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbetet ende e pafinalizuar, pavarësisht optimizmit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka bërë të ditur se nënshkrimi mund të jetë shumë pranë.
Trump ka përsëritur se memorandumi mes dy vendeve mund të nënshkruhet së shpejti dhe se pas arritjes së marrëveshjes pritet të rihapet plotësisht Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës.
Megjithatë, nga Teherani kanë ardhur sinjale më të kujdesshme. Zyrtarët iranianë bëjnë të ditur se dokumenti nuk është përfunduar ende dhe se ka ende çështje të hapura që kërkojnë negociata të mëtejshme.
Mes temave kryesore që vazhdojnë të diskutohen janë kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, prania ushtarake amerikane në rajon, sanksionet ekonomike dhe hapat e ardhshëm që lidhen me programin bërthamor iranian.
Sipas raportimeve, palët po shqyrtojnë mundësinë e një nënshkrimi elektronik të memorandumit, ndërsa më pas do të zhvillohen bisedime teknike për zbatimin e marrëveshjes.
Ndërkohë, në Izrael po ndiqen me vëmendje zhvillimet e fundit. Mediat izraelite raportojnë për shqetësime lidhur me përmbajtjen e mundshme të marrëveshjes dhe ndikimin që ajo mund të ketë në sigurinë e rajonit.
Edhe pse negociatat kanë hyrë në një fazë të avancuar, ende nuk ka një datë të konfirmuar për nënshkrimin përfundimtar të marrëveshjes mes Uashingtonit dhe Teheranit.


