Policia "blindon" zonat turistike/ 357 gjoba për shpejtësi ekstreme vetëm gjatë fundjavës

Policia "blindon" zonat turistike/ 357 gjoba për shpejtësi

Masat për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik janë intensifikuar në të gjithë vendin. Në një inspektim të zhvilluar në Shëngjin, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ndoqën nga afër zbatimin e planit të masave në një prej zonave me fluksin më të lartë të pushuesve.

Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë falënderoi efektivët e Policisë Rrugore të Kosovës, të cilët janë angazhuar në patrullime të përbashkëta me kolegët shqiptarë në Shëngjin, në kuadër të bashkëpunimit për rritjen e sigurisë rrugore gjatë sezonit veror.

Ai vlerësoi edhe punën e strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, të cilat po operojnë me orare të zgjatura për të garantuar rendin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Sipas Policisë, vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë. Në disa raste, radarët kanë regjistruar automjete që lëviznin me shpejtësi nga 150 km/h deri në mbi 200 km/h.

Policia u bëri apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë, sinjalistikën rrugore dhe rregullat e qarkullimit, duke kujtuar se shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja të rënda.

Gjatë inspektimit u diskutua edhe problematika e ndotjes akustike në zonat turistike. Drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga strukturat e Policisë së Lezhës dhe nga të gjitha drejtoritë vendore të intensifikojnë kontrollet për respektimin e normave të zhurmës, me synimin për të garantuar qetësinë publike dhe kushte sa më të mira për banorët dhe pushuesit gjatë sezonit veror.

EMISIONET