Trump i jep ultimatum Iranit: Negocioni ose do të goditen termocentralet dhe urat

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se operacionet ushtarake kundër Iranit do të vazhdojnë, ndërsa Garda Revolucionare iraniane këmbëngul se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në ndërprerjen e veprimeve ushtarake amerikane.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se sulmet do të vazhdojnë derisa të vendoset përfundimi i operacioneve. Ai paralajmëroi se objektiva të ardhshme mund të jenë termocentralet dhe urat, nëse Irani nuk pranon të ulet në tryezën e negociatave.
Sipas tij, sektori energjetik do të jetë në mesin e objektivave të fundit të fushatës ushtarake. Ai shtoi se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për qarkullimin e anijeve, por jo për Iranin.
Trump bëri të ditur gjithashtu se zyrtarë amerikanë kanë zhvilluar kontakte me Teheranin, duke i kërkuar arritjen e një marrëveshjeje, të cilën e cilësoi si rrugën e vetme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.
Në anën tjetër, Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa të ndalen, sipas saj, aktet e agresionit amerikan. Në të njëjtin reagim u paralajmërua edhe mundësia e bllokimit të rrugëve të tjera strategjike të eksportit të naftës dhe gazit.
Autoritetet iraniane thanë se, nëse eksportet e naftës dhe gazit nuk janë të mundshme për Iranin, atëherë nuk do të jenë të mundshme për askënd.


