Shabani: Hetim administrativ për veprimet e policisë gjatë protestës

Avokati i Popullit, Endri Shabani deklaroi sot se institucioni ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar ditën e sotme para parlamentit.
Pas një vizite në Komisariatin nr. 1, ku po mbahen gjashtë protestues të ndaluar, Shabani tha se ata ende nuk kanë një status procedurial të përcaktuar.
“Kam ardhur vetë, jo stafi. U interesova për të drejtat e tyre dhe për statusin në të cilin ndodhen. Mora një nga avokatët dhe hymë bashkë. Të ndaluarit ende nuk kanë një status. Janë ndaluar për shkak të incidentit që ka ndodhur gjatë protestës”, u shpreh ai.
Shabani bëri të ditur se Avokati i Popullit ka nisur hetim për të gjithë zinxhirin vendimmarrës lidhur me ndërhyrjen e policisë.
“Sjellja e policisë ishte joproporcionale dhe jemi shumë të shqetësuar. E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese. Hetimi do të përfshijë të gjithë zinxhirin vendimmarrës”, deklaroi Avokati i Popullit.
