Starmer mbyll mandatin si kryeministër, sot mbledhja e fundit e kabinetit

Starmer mbyll mandatin si kryeministër, sot mbledhja e fundit e kabinetit

Sir Keir Starmer do të drejtojë këtë të mërkurë mbledhjen e fundit të kabinetit në Downing Street, duke përmbyllur mandatin e tij si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar. Pas takimit me ministrat, ai do të marrë pjesë edhe në seancën e fundit të Pyetjeve të Kryeministrit në Parlament.

Mbledhja e kabinetit shënon fundin e drejtimit të qeverisë nga Starmer. Sipas mediave britanike, ministrat pritet ta përshëndesin me një kartolinë dhe një dhuratë simbolike, që besohet të jetë një orë tavoline.

Pas përfundimit të mbledhjes, Starmer do të paraqitet në Dhomën e Komunave për përballjen e fundit me lideren e opozitës, Kemi Badenoch, në seancën e përjavshme të Pyetjeve të Kryeministrit.

Kjo është edhe seanca e fundit parlamentare përpara pushimeve verore. Parlamenti britanik do të ndërpresë punimet të enjten dhe do t'i rifillojë ato në shtator.

Ndërkohë, Andy Burnham pritet të marrë detyrën e kryeministrit të hënën e ardhshme.

Vendimi për të mos zgjatur punimet e parlamentit është kundërshtuar nga Partia Konservatore, e cila argumenton se kryeministri i ri nuk do të përballet me pyetjet e deputetëve për më shumë se gjashtë javë pas marrjes së detyrës.

Nga ana tjetër, ekipi i Andy Burnham bën të ditur se ai do të zhvillojë takime me qytetarët në të gjithë vendin gjatë verës dhe do t'u përgjigjet pyetjeve të tyre, si pjesë e qasjes së re që synon të ndjekë në drejtimin e qeverisë.

EMISIONET