Shtëpia e Bardhë intensifikon përpjekjet për të siguruar miratimin e ndihmave për Ukrainën
Shtëpia e Bardhë do të rrisë angazhimin me ligjvënësit amerikanë në përpjekje për të arritur një marrëveshje dypartiake që do të ofronte ndihma ushtarake për Ukrainën dhe Izraelin, ndërkohë që do të forconte sigurinë kufitare, tha një senator demokrat të dielën.
Republikanët kanë këmbëngulur se miratimi i fondeve shtesë për Ukrainën duhet të shoqërohet me ndryshime të mëdha për sigurimin e kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Një grup senatorësh nga të dy partitë, që po përpiqen të ndërmjetësojnë një kompromis, kanë shënuar pak përparime ndërsa ka ngelur më pak se një javë përpara se Kongresi të fillojë pushimet e Krishtlindjes.
“Shtëpia e Bardhë do të angazhohet më shumë këtë javë”, tha Senatori Chris Murphy, negociatori kryesor demokrat, në emisionin televiziv “Meet the Press” të kanalit NBC News. Zoti Murphy tha se ishte e rëndësishme të dihej nëse Presidenti Joe Biden do të nënshkruante ndonjë marrëveshje të mundshme.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi javën e kaluar se administrata e Presidentit Biden është e hapur për kufizime të reja në dhënien e azilit për migrantët në rast të arritjes së një marrëveshjeje.
Senatori Murphy tha se kërkesat e republikanëve për sigurinë kufitare ishin “të paarsyeshme” dhe se ata “po bëjnë lojëra me sigurinë e botës” duke e lidhur ndihmën ushtarake me masat e sigurisë kufitare të Shteteve të Bashkuara.
Disa republikanë kanë bërë thirrje për dispozita ligjore për deportimin e menjëhershëm të migrantëve që kalojnë kufirin ilegalisht, pa u dhënë mundësi që të kërkojnë azil. Ata kanë bërë gjithashtu thirrje për të tkurrur në masë të madhe programet e Presidentit Biden që kanë lejuar qindra mijëra emigrantë të futen në Shtetet e Bashkuara në rrugë të ligjshme./ VOA