Senati i SHBA-së konfirmon Eric Wendt si ambasador në Shqipëri, ja prioritetet e tij në Tiranë

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar emërimin e Eric Wendt si ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri. Sipas raportimeve nga mediat amerikane, kandidatura e tij u votua me 51 vota pro dhe 47 kundër, pasi kishte marrë më herët edhe miratimin e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Me këtë vendim, Wendt merr zyrtarisht drejtimin e misionit diplomatik amerikan në Tiranë dhe pritet të nisë detyrën në muajt e ardhshëm.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në Uashington më 20 maj, ai paraqiti prioritetet që synon të ndjekë në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Në fokus të punës së tij do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbështetja për sigurinë kibernetike dhe krijimi i kushteve më të mira për investimet amerikane në vend.
Wendt vlerësoi gjithashtu rolin e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e konsideruar atë një partner të rëndësishëm të institucioneve amerikane të zbatimit të ligjit.
Ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni dhe funksionimit të tij larg ndikimeve politike.
Eric Wendt u nominua nga Presidenti amerikan Donald Trump në muajin prill. Ai vjen në diplomaci pas një karriere të gjatë në fushën e sigurisë kombëtare, me më shumë se 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane. Gjatë kësaj periudhe ka drejtuar forcat speciale amerikane dhe operacionet speciale të NATO-s në Europë, duke pasur edhe bashkëpunim me strukturat shqiptare të sigurisë në kuadër të misioneve të Aleancës.
Me miratimin e Senatit, Wendt bëhet zyrtarisht ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri, duke marrë detyrën në një moment kur bashkëpunimi mes dy vendeve mbetet i fokusuar te siguria, drejtësia dhe integrimi euroatlantik.


