Reagon Trump! Vr*tet numri 2 i Shtetit Islamik, detaje nga operacioni i përbashkët SHBA - Nigeri

Nigeria dhe SHBA kanë njoftuar se kanë vrarë një drejtues të lartë të Shtetit Islamik gjatë një operacioni të përbashkët.
Abu-Bilal al-Minuki u përshkrua nga Donald Trump si “numri dy i ISIS-it në nivel global” dhe “terroristi më aktiv në botë”.
Në vitet e fundit, ISIS ka zhvendosur ndjeshëm aktivitetin e tij, me rreth 90% të sulmeve që tashmë ndodhin në Afrikën Sub-Sahariane. Dega e organizatës me bazë në Nigeri konsiderohet si më aktivja.
Presidenti i Nigerisë, Bola Tinubu, deklaroi se të dy vendet realizuan një “operacion të guximshëm të përbashkët që i dha një goditje të rëndë” ISIS-it.
Al-Minuki ishte shpallur nga Uashingtoni si “Terrorist Global i Përcaktuar Veçanërisht” në vitin 2023.
Ai u vra së bashku me “disa nga vartësit e tij” gjatë një sulmi ndaj kompleksit ku strehohej në rajonin e Pellgut të Liqenit Çad, një zonë e gjerë me ujëra dhe këneta që ndahet mes Nigerisë, Çadit, Nigerit dhe Kamerunit.
Një zëdhënës ushtarak tha se shërbimet e inteligjencës kishin zbuluar se Minuki kishte ngritur një bazë të fortifikuar në zonën e Metele, në shtetin Borno.
Ushtria e Nigeria bëri të ditur se operacioni nisi pak pas mesnatës së së shtunës, (16 maj) pas muajsh të tërë mbledhjeje informacioni dhe vëzhgimesh në terren.
Sipas ushtrisë, gjatë operacionit “nuk u regjistruan humbje jetësh njerëzore apo dëmtime të pajisjeve”, ndërsa aksioni u cilësua si dëshmi e bashkëpunimit në rritje mes forcave nigeriane dhe atyre të SHBA-së
Autoritetet ushtarake thanë se Abu-Bilal al-Minuki ishte promovuar në postin “Shef i Drejtorisë së Përgjithshme të Shteteve”, duke e bërë një nga figurat më të larta në hierarkinë globale të Shtetit Islamik.
Më herët, ai kishte mbikëqyrur operacionet e lidhura me ISIS-in në rajonin e Sahelit dhe në Afrikën Perëndimore, përfshirë sulme kundër civilëve dhe komuniteteve minoritare.
Ushtria e lidhi gjithashtu al-Minukin me rrëmbimin e nxënëseve në Dapchi në vitin 2018, kur më shumë se 100 vajza nga një shkollë me konvikt në verilindje të Nigerisë u morën peng nga grupi militant Boko Haram, shkruan BBC.


