Princesha Mette-Marit i nënshtrohet transplantit të mushkërive, mjekët: Ndërhyrja ka rezultuar e suksesshme!

Mette-Marit i është nënshtruar me sukses një transplanti të mushkërive, pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore si pasojë e një forme të rrallë të fibrozës pulmonare.
Lajmi u konfirmua nga Arnt Fiane, shefi i kirurgjisë torakale në Spitalin Kombëtar të Oslos, i cili deklaroi se ndërhyrja ka dhënë rezultate pozitive.
“Transplanti i mushkërive ka rezultuar deri tani i suksesshëm”, tha ai.
52-vjeçares iu diagnostikua një formë e rrallë e fibrozës pulmonare, një sëmundje progresive që shkakton vështirësi të mëdha në frymëmarrje dhe që, në faza të avancuara, kërkon ndërhyrje të specializuara si transplanti.
Sipas mjekëve, pa këtë operacion, jetëgjatësia e saj mund të ishte kufizuar në vetëm një deri në dy vite.
Gjendja e princeshës ishte përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit. Ajo u pa duke përdorur kanula oksigjeni gjatë një pritjeje zyrtare në Pallatin Mbretëror të Oslos, organizuar për atletët paralimpikë norvegjezë pas Lojërave Milano-Cortina 2026, një paraqitje që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe mediave.
Ishte hera e parë që Mette-Marit merrte pjesë në një aktivitet zyrtar me mbështetje oksigjeni, duke reflektuar seriozitetin e gjendjes së saj shëndetësore. Tashmë, pas transplantit, familja mbretërore norvegjeze dhe mjekët shpresojnë në një rikuperim të plotë të saj.

