Pas më shumë se 3 orë kontroll, FBI nuk gjen asnjë dokument të klasifikuar në shtëpinë e pushimit të Biden
Agjentët e FBI kryen një kontroll pa urdhër në shtëpinë e pushimeve të Joe Biden në Rehoboth Beach, Delaware të mërkurën në mëngjes (me orën lokale), por sipas avokatit personat të presidentit amerikan, Bob Bauer, nuk u gjetën dokumente të klasifikuara.
Bauer tha, megjithatë, se FBI mori me vete shënime të shkruara me dorë dhe disa materiale për ekzaminim të mëtejshëm.
Kontrolli zgjati 3 orë e gjysmë.
"Hetimi i planifikuar i Departamentit të Drejtësisë për rezidencat e Presidentit në Rehoboth, i cili u krye në koordinim dhe bashkëpunim me avokatët e Presidentit, ka përfunduar”, tha Bauer.
“Kërkimi është kryer nga ora 08:30 deri në mesditë”.
“Nuk u gjet asnjë dokument i klasifikuar”, shtoi ai.
Bauer tha se si në kontrollin e muajit të kaluar në shtëpinë e Biden në Wilmington, Delaëare, agjentët "morën për ekzaminim të mëtejshëm disa materiale dhe shënime të shkruara me dorë që duket se lidhen me kohën e tij si zëvendëspresident".
Bauer konfirmoi më herët këtë mëngjes se hetuesit po kontrollonin shtëpinë. Hetimi ishte planifikuar dhe kishte "mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Biden".
Avokatët personalë të Biden kishin kontrolluar më parë shtëpinë e pushimeve më 11 janar dhe nuk gjetën asnjë dokument të klasifikuar.
Kërkimi i FBI-së në Rehoboth shënon rastin e tretë të njohur që agjentët federalë kanë kontrolluar pronat e lidhura me Biden për të kërkuar materiale të klasifikuara.
Siç u bë e ditur dje, FBI kishte kontrolluar zyrat e Qendrës Penn Biden për Diplomaci dhe Angazhim Global në mes të nëntorit, pasi aty u zbuluan dokumente të klasifikuara, ndërsa një kontroll i ngjashëm ishte bërë edhe në rezidencën e presidentit amerikan në Wilmington.
Kërkimi vjen në ditën kur Departamenti i Drejtësisë njoftoi se këshilltari special Robert Hur filloi zyrtarisht punën e tij duke mbikëqyrur hetimin e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara nga Biden.