Në luftë me kohën, ekipet e shpëtimit kërkojnë të mbijetuar në spitalin shtetëror që u shemb nga tërmeti
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë të mbijetuar në rrënojat e spitalit shtetëror Iskenderun, i cili u shkatërrua pjesërisht nga tërmetet që kanë vrarë më shumë se 3,000 njerëz në Turqi dhe Siri.
Ndërsa errësira ka rënë në zonë, një person i plagosur është nxjerrë nga rrënojat. Ekipet e shpëtimit u ngjitën në një grumbull të madh çimentoje dhe tullash, që dikur ishte njësia e kujdesit intensiv të spitalit.
Pavarësisht shiut dhe të ftohtit, ata shpresojnë të gjejnë të tjerë të gjallë.
Gjeneratorët funksionojnë vazhdimisht, duke siguruar dritë në zonë.
Shumë të afërm të pacientëve janë mbledhur në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre.
"Ne kemi një pacient që u dërgua në sallën e operacionit, por nuk e dimë se çfarë ndodhi," tha një grua 30-vjeçare, duke fshirë lotët ndërsa lutej.
“Zoti na ndihmoftë. Sot kemi humbur tre të afërm, përfshirë edhe hallën time. Xhaxhai im është aty... mos e dhëntë Zoti të ketë ikur dhe ai”.
Në pjesën e spitalit që është ende në këmbë, mjekët dhe infermierët po bëjnë të pamundurën për t'u kujdesur për të plagosurit mes kaosit.
Duke qenë se nuk ka mjaft ambulanca, shumë vijnë me makina private, dhjetëra janë të shtrirë në dyshekë në dyshemenë ngjitur me hyrjen e spitalit.
Një ndihmës mjek mbërrin duke bërtitur: "Po vjen fëmijë... fëmijë, fëmijë!"
Dhe një koleg i tij vrapon për ta mbuluar me një batanije.
Një infermiere e njësisë së kujdesit intensiv, Merve, tha se ishte duke punuar në turnin e natës kur ra tërmeti.
“Papritmas, ndërtesa filloi të dridhej (…) Unë dhe miqtë e mi nuk u përpoqëm të largoheshim, nuk i lamë pacientët. Pastaj dëgjuam një zhurmë të tmerrshme, ndërtesa filloi të shembet”, tha ajo.
“Shkallët u shkatërruan, nuk mundëm të dilnim. Në fillim nuk e dinim që pjesa më e madhe e ndërtesës kishte rënë. Por kur dolëm nga dhoma jonë, korridori ishte i rrënuar”.
Merve u shpëtua. Kolegët dhe pacientët në krahun tjetër të godinës nuk ishin aq me fat.
“Ka 15 orë, nuk mund të kontaktoj me asnjë koleg, asnjë nga ata që janë nën rrënoja nuk është nxjerrë. Ata nuk i lanë pacientët e tyre, nuk di çfarë të them”, shtoi ajo.
Më shumë se 1200 ndërtesa u shkatërruan nga tërmeti në provincën Hatay, ku ndodhet Iskenderun.
Të paktën 520 njerëz u vranë në Hatay, sipas ministrit të Shëndetësisë.
“Krahu i vjetër i spitalit qeveritar u shemb nga tërmeti. Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë”, tha ministri.