NATA E SHTATË E SULMEVE/ SHBA g*det objektiva ushtarake në Iran, Teherani kundërpërgjigjet me raketa dhe dronë

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka hyrë në natën e shtatë radhazi të përshkallëzimit ushtarak. Uashingtoni vijoi operacionet ajrore kundër objektivave iraniane, ndërsa Teherani reagoi me sulme ndaj bazave amerikane dhe aleatëve të SHBA-së në rajon.
Komanda Qendrore Amerikane bëri të ditur se gjatë operacionit janë goditur objekte vëzhgimi, infrastrukturë logjistike ushtarake, depo nëntokësore armësh dhe kapacitete detare të Iranit. Në sulme u angazhuan avionë luftarakë, dronë dhe anije luftarake, ndërsa operacioni zgjati disa orë.
Nga ana tjetër, Irani pretendoi se kishte goditur objektiva amerikane në rajon. Autoritetet e Kuvajtit raportuan se sistemet e mbrojtjes ajrore u përballën me raketa dhe dronë iranianë, ndërsa u raportuan të plagosur dhe dëme në infrastrukturën energjetike. Edhe Jordania njoftoi se kishte interceptuar disa raketa iraniane pa pasoja në terren.
Teherani deklaroi gjithashtu se dy anije cisternë shpërthyen pasi kaluan në një zonë të minuar pranë Ngushticës së Hormuzit, pretendim që u hodh poshtë nga ushtria amerikane, e cila e cilësoi informacionin të pavërtetë.
Përshkallëzimi i konfliktit ka goditur rëndë edhe transportin detar. Trafiku në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, është reduktuar ndjeshëm, duke rritur shqetësimet për furnizimet globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Ndërkohë, autoritetet iraniane akuzojnë SHBA-në se sulmet kanë prekur edhe infrastrukturë civile dhe kanë shkaktuar viktima, ndërsa Shtëpia e Bardhë këmbëngul se operacionet janë përqendruar ekskluzivisht në objektiva ushtarake.
Me shkëmbimin e sulmeve që vazhdon prej një jave, shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe dështimin e përpjekjeve për një armëpushim të qëndrueshëm po shtohen nga dita në ditë.

