“Mister Teflon” i NATO-s/ Si Mark Rutte i mbijetoi skandaleve dhe u ngjit në majat e Aleancës

“Mister Teflon” i NATO-s/ Si Mark Rutte i mbijetoi skandaleve dhe u

Në Hagë dhe Amsterdam e kanë quajtur “Mister Teflon”, si simbol i një politikani të cilit “nuk i ngjitet asgjë”. Mark Rutte, për 14 vite si kryeministër i Holandës dhe sot Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, konsiderohet kreu më jetëgjatë i qeverisë në historinë e vendit të tij, duke i mbijetuar skandaleve, polemikave dhe krizave politike pa u rrëzuar nga detyra.

Në rolin e tij aktual në krye të Aleancës, Rutte ka ruajtur stilin e tij pragmatik dhe të qetë, ndërsa në disa raste është kritikuar për qëndrimin e tij tepër të kujdesshëm ndaj Shteteve të Bashkuara, sidomos në raport me presidentin amerikan Donald Trump.

Madje, ai ka shkuar deri në përdorimin e nofkës “Daddy” për Trump, një gjest që ka shkaktuar reagime dhe kritika nga disa vende anëtare të NATO-s, të cilat e konsiderojnë të tepruar këtë qasje.

Së fundmi, kritikat ndaj tij janë shtuar edhe për deklarata dhe publikime të dhënash mbi aktivitetin ushtarak të SHBA-ve dhe shpenzimet e mbrojtjes në Europë, të cilat disa diplomatë i konsiderojnë të pasakta ose të pakonsultuara më parë me aleatët. Megjithatë, mbështetësit e tij theksojnë se qëllimi i Rutte është mbajtja e unitetit brenda Aleancës, edhe përballë tensioneve me Uashingtonin.

Në skenën politike holandeze, Rutte njihet si një figurë fleksibël dhe pragmatiste, i aftë të qeverisë si me të djathtën ekstreme të Geert Wilders, ashtu edhe me socialistët dhe laburistët.

Ky pragmatizëm i ka dhënë reputacionin e një politikani që arrin të mbijetojë politikisht duke bërë kompromis me të gjitha palët.

Ai ka fituar edhe nofkën “Mister Normal”, pasi edhe gjatë kohës si kryeministër vazhdonte të jetonte në apartamentin e tij të thjeshtë dhe përdorte biçikletën për të shkuar në punë. Megjithatë, jeta e tij private ka mbetur gjithmonë diskrete: Rutte nuk është martuar kurrë dhe nuk ka fëmijë, ndërsa në media janë ngritur herë pas here spekulime për jetën e tij personale, të cilat ai i ka mohuar.

Rutte ka folur gjithashtu për ngjarje personale që e kanë shënuar, përfshirë humbjen e vëllait nga AIDS-i dhe historinë familjare të babait të tij, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore u mbajt në një kamp internimi në Lindjen e Largët.

EMISIONET