Kufiri i borxhit, Yellen: Një dështim do të kërcënonte ekonominë globale dhe do të minonte lidershipin e SHBA

Kufiri i borxhit, Yellen: Një dështim do të kërcënonte

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen, i bëri thirrje sot Kongresit të rrisë kufirin e huamarrjes së qeverisë federale dhe të shmangë një skenar të paprecedentë të falimentimit, i cili do të shkaktonte një recesion ekonomik global dhe rrezikonte të minonte lidershipin e SHBA-së në ekonominë globale.

Yellen e bëri paralajmërimin në komentet që ajo ka përgatitur për një konferencë shtypi që do të japë pak para takimit në Japoni me homologët e saj të G7, si dhe me Indinë, Indonezinë dhe Brazilin.

“Ngrirja e pagesave do të kërcënojë përfitimet për të cilat kemi punuar kaq shumë gjatë viteve të fundit në rimëkëmbjen tonë pas pandemisë.Dhe do të shkaktojë një recesion global që do të na çojë edhe më mbrapa”, theksoi ajo.

“Kjo gjithashtu rrezikon të minojë lidershipin e SHBA-së në ekonominë globale dhe të ngrejë pyetje në lidhje me aftësinë tonë për të mbrojtur interesat tona të sigurisë kombëtare”, shtoi Sekretarja e Thesarit e SHBA-së.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të mërkurën se nëse Kongresi dështon të veprojë përpara se qeverisë federale t'i mbarojnë paratë,  gjë që mund të ndodhë që në 1 qershor, ekonomia amerikane do të rrezikohet nga një recesion.

Yellen theksoi se lojërat politike të republikanëve për këtë çështje përbënin "një krizë të krijuar nga ne" dhe se kërcënimi i thjeshtë i një falimentimi mund të çojë në një ulje të aftësisë kreditore të shtetit amerikan, siç ndodhi gjatë mosmarrëveshjes së vitit 2011 mbi kufirin e borxhit federal.

Në të njëjtën kohë, ajo mund të rrisë normat e interesit për hipotekat, kartat e kreditit dhe kreditë e makinave, vuri në dukje Yellen.

Biden këmbëngul se Kongresi ka një detyrë kushtetuese për të rritur kufirin e huamarrjes, i cili tashmë qëndron në 31.4 trilion dollarë (28.6 trilion euro), pa kushte.

Por republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, po e lidhin këtë rritje me shkurtime të mëdha në shpenzimet publike.

Për më tepër, ish-presidenti amerikan Donald Trump dje u kërkoi republikanëve të shkaktojnë një falimentim nëse nuk sigurojnë shkurtime "të mëdha" në shpenzimet publike nga administrata Biden.

shba

EMISIONET