Kërcënimi rus “ia vë syrin” Polonisë? Tusk paralajmëron: Muajt e ardhshëm kritikë për sigurinë e vendit

Kërcënimi rus “ia vë syrin” Polonisë? Tusk

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka paralajmëruar se muajt e ardhshëm mund të jenë “kritikë” për sigurinë e vendit, duke theksuar se qeveria po përgatitet për skenarë të ndryshëm përballë kërcënimeve të mundshme nga Rusia.

Duke folur para gazetarëve, Tusk tha se autoritetet polake janë të vetëdijshme për rreziqet dhe po bashkëpunojnë ngushtë me aleatët e NATO-s. Ai theksoi se shqetësimet janë veçanërisht të mëdha për shtetet baltike, ndërsa nënvizoi se kërcënimet nuk mund të injorohen.

Deklaratat e tij erdhën pas raportimeve të mediave polake dhe britanike, sipas të cilave inteligjenca amerikane ka paralajmëruar Varshavën për një skenar të mundshëm provokimi nga Rusia, që mund të synojë testimin e vendosmërisë së NATO-s. Sipas këtyre raportimeve, objektiva të mundshëm mund të jenë infrastruktura polake përmes sulmeve me raketa ose dronë, apo edhe operacione të kufizuara ushtarake.

Sipas mediave, një veprim i tillë do të synonte të rriste presionin mbi aleatët perëndimorë të Ukrainës për të kufizuar ose pezulluar mbështetjen ushtarake ndaj Kievit, ndërsa lufta e nisur nga Rusia në vitin 2022 vazhdon.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit nuk kanë komentuar mbi raportimet për paralajmërimet e inteligjencës amerikane.

Presidenti polak Karol Nawrocki pritet të marrë pjesë javën e ardhshme në samitin e NATO-s në Turqi, ku udhëheqësit e aleancës do të diskutojnë forcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.

Edhe zyrtarë të tjerë polakë kanë shprehur shqetësime të ngjashme. Kryeministri Tusk kishte deklaruar më herët se Rusia mund të sulmojë një shtet anëtar të NATO-s brenda disa muajsh, ndërsa ministri i Jashtëm Radek Sikorski ka paralajmëruar për mundësinë e operacioneve me “flamur të rremë” për të justifikuar një sulm ndaj aleancës.

Paralajmërime të ngjashme kanë ardhur edhe nga shtetet baltike. Shërbimet e inteligjencës në Letoni dhe Lituani kanë ngritur alarmin për provokime të mundshme ushtarake ose hibride nga Rusia, duke përfshirë sulme me raketa, dronë dhe forma të tjera të luftës hibride.

EMISIONET