Ekspertët: Kosova duhet të diversifikojë energjinë, jo të mbështetet vetëm te qymyri!

Ekspertët: Kosova duhet të diversifikojë energjinë, jo
Kosova mund të sigurojë furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike dhe njëkohësisht të ulë ndotjen e ajrit, por kjo kërkon investime në burime të reja të energjisë, si era, dielli dhe gazi i lëngshëm natyror (LNG), e jo mbështetje afatgjatë vetëm te qymyri.

Në këtë përfundim arrijnë ekspertë të energjisë dhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e mjedisit, të cilët thonë se rehabilitimi i termocentraleve ekzistuese është i domosdoshëm për të shmangur krizat afatshkurtra, por nuk përbën zgjidhje të qëndrueshme për sistemin energjetik të Kosovës.

Vlerësimet e tyre vijnë në kohën kur debati për të ardhmen energjetike të vendit është intensifikuar.

Përveç modernizimit të termocentraleve ekzistuese, autoritetet përmendin edhe mundësinë e gazifikimit të qymyrit, ndërsa vazhdojnë të mos kenë vendim për t’iu bashkuar projekteve rajonale për furnizim me gaz të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara.

Kapacitetet e Kosovës
Kosova mbetet një nga vendet më të varura nga qymyri në Evropë.

Gati 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet me qymyr, ndërsa pjesa tjetër vjen nga burimet e ripërtëritshme.

Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate energji elektrike, por në ditët e dimrit konsumi arrin deri në 1.300 megavate, duke e detyruar të importojë energji për të mbuluar mungesën.

Prodhimi mbështetet kryesisht te termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat, për shkak të vjetërsisë së tyre, përballen shpesh me defekte që çojnë edhe në ndërprerje të rrymës.

Përpjekja për ndërtimin e një termocentrali të ri, e nisur në vitin 2005, nuk është realizuar kurrë.

Ndërkohë, Strategjia e Energjisë 2022-2031 synon ta ndryshojë gradualisht këtë strukturë përmes rritjes së kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme.
Diversifikimi, alternativa që rekomandojnë ekspertët
Për ekspertët, zgjidhja nuk është një burim i vetëm energjie, por kombinimi i disa teknologjive që e bëjnë sistemin më të qëndrueshëm dhe më pak të varur nga qymyri.

Zana Beqiri, nga Shoqata për Përgjegjësi Mjedisore dhe Sociale (ESRA), thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të ndjekë modelin e Bashkimit Evropian - ku edhe mëton të anëtarësohet - për diversifikimin e burimeve energjetike.

Një qasje e tillë, sipas saj, parashihet edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031, e cila synon ndërtimin e 600 megavateve kapacitete nga era dhe po aq nga energjia diellore.

Përveç këtyre burimeve, ajo përmend edhe sistemet e ruajtjes së energjisë përmes baterive, si dhe gazin e lëngshëm natyror amerikan, si pjesë të një, siç e quan, portofoli energjetik më elastik dhe më të sigurt.

SHIKONI EDHE:Gazi amerikan si test i politikës energjetike të Kosovës
Adhurim Haxhimusa, profesor në Universitetin Zviceran të Shkencave të Aplikuara (FHGR), pajtohet se diversifikimi është rruga që duhet të ndjekë Kosova, por thekson se investimet nuk do të vijnë vetëm me ndërtimin e kapaciteteve të reja.

Sipas tij, vendi duhet të krijojë një treg funksional të energjisë, ku konkurrenca dhe politikat e duhura u japin investitorëve sinjal të qartë për të investuar.

“Nëse institucionet e Republikës së Kosovës zbatojnë politikat e duhura, përfshirë vendosjen e taksës së karbonit për të dekurajuar ndotjen dhe një planifikim të saktë hapësinor, investimet private në burimet e ripërtëritshme do të rriteshin shumë shpejt”, thotë Haxhimusa për Radion Evropa e Lirë.

Një treg me çmime dinamike, shton ai, do t’i nxiste investitorët privatë të gjenin kombinimin më efikas të burimeve të energjisë, pa rrezikuar stabilitetin e furnizimit.

SHIKONI EDHE:SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit
Megjithatë, jo të gjithë e shohin qymyrin si një kapitull që duhet mbyllur.

Ish-ministri i Energjisë në Qeverinë e Kosovës, Ethem Çeku, pajtohet se vendi duhet të zgjerojë portofolin e tij energjetik përmes burimeve të reja. Por, duke pasur parasysh rezervat e mëdha të qymyrit, ai argumenton se nuk duhet përjashtuar mundësia e ndërtimit të një blloku të ri termocentrali.

“Një bllok prej 500 megavatesh, ose dy blloqe nga 250 megavate mund të ndërtohen. Por, termocentrali i ri duhet të ndërtohet sipas parametrave të Bashkimit Evropian. Nuk mund të ndërtosh më kapacitete me bazë të thëngjillit, pa qenë në harmoni me direktivat e BE-së për mbrojtjen e mjedisit”, thekson Çeku për Radion Evropa e Lirë.

LNG-ja amerikane mbetet një vendim i hapur
Një prej opsioneve që ekspertët e konsiderojnë më realist për periudhën e tranzicionit është gazi natyror i lëngshëm amerikan (LNG).

Ndryshe nga disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova ende nuk u është bashkuar projekteve rajonale për furnizim me këtë gaz.

Qeveria është përballur vazhdimisht me thirrje nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, si dhe nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile, që të përfshihet në to.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova nuk është kundër LNG-së amerikane, por nuk ka bërë të ditur nëse vendi do t’u bashkohet përfundimisht projekteve të SHBA-së.

“Si gjithmonë, ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë, bashkë me ekspertët dhe të gjitha institucionet relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat ekonomike dhe politike”, ka thënë Rizvanolli përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale më 26 qershor.

SHIKONI EDHE:Rizvanolli thotë se Kosova s’është kundër gazit amerikan, por nuk tregon nëse do ta pranojë atë
Për Beqirin nga ESRA, vonesat mund të kenë pasoja.

Ajo kujton deklaratat e zyrtarëve amerikanë se “dritarja e mundësisë po mbyllet", pasi kapacitetet e korridoreve energjetike rajonale po rezervohen gradualisht.

“Nëse Kosova nuk vepron tani, kostoja dhe mundësitë e integrimit do të rriten ndjeshem”, thekson Beqiri.

Edhe Haxhimusa e konsideron LNG-në si një nga alternativat më praktike për Kosovën gjatë tranzicionit energjetik.

Sipas tij, centralet me gaz mund të aktivizohen dhe të ndalen brenda pak minutash - gjë që i bën ato të përshtatshme për të balancuar prodhimin nga era dhe energjia diellore, i cili varet nga kushtet atmosferike.

“Për më tepër, LNG-ja shkakton më pak dëme mjedisore lokale dhe financimi është më i lehtë, pasi Bashkimi Evropian e klasifikon gazin si burim tranzicioni”, thotë Haxhimusa.

E, sipas Çekut, nëse ideja e gazit amerikan nuk pranohet, Kosova nuk ka zgjidhje tjetër përveç “rehabilitimit të termocentraleve ekzistuese”.

Termocentralet mbeten burimi kryesor i ndotjes
Debati për të ardhmen e sektorit energjetik, megjithatë, nuk lidhet vetëm me sigurinë e furnizimit. Ai lidhet edhe me koston mjedisore të mbështetjes së vazhdueshme te qymyri.

Edhe pse prej vitesh janë bërë investime në modernizimin e tyre, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” vazhdojnë të jenë ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në vend.

Këtë e konfirmon edhe Raporti Vjetor për Gjendjen e Ajrit 2025 i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), sipas të cilit emetimet e pluhurit nga oxhaqet e termocentraleve tejkalojnë rreth tri herë kufijtë e lejuar nga lejet mjedisore.

EMISIONET