Natë t*rrori në Ukrainë/ Rusia godet me 74 raketa dhe 496 dronë, 30 të viktima në Kiev

Një natë e përgjakshme është regjistruar në Ukrainë, ku të paktën 30 persona kanë humbur jetën pas një vale të re bombardimesh masive nga Rusia.
Sipas të dhënave, Moska ka lëshuar 74 raketa dhe 496 dronë, duke goditur rëndë edhe qendrën e Kievit dhe duke dëmtuar të paktën 130 ndërtesa.
Autoritetet ruse kanë deklaruar se sulmet janë ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj goditjeve ukrainase në territorin e tyre, veçanërisht ndaj infrastrukturës energjetike dhe rafinerive ruse. Kievi, nga ana e tij, ka intensifikuar sulmet në javët e fundit ndaj objektivave strategjike në Rusi, në përpjekje për të goditur ekonominë e luftës së Moskës.
Pavarësisht se lufta ka hyrë në vitin e saj të pestë, intensiteti i saj nuk po ulet, përkundrazi po shënon përshkallëzim të mëtejshëm.
As Ukraina dhe as Rusia nuk publikojnë rregullisht të dhëna zyrtare për humbjet ushtarake, duke i konsideruar ato informacion strategjik. Megjithatë, një studim i ri i Center for Strategic & International Studies (CSIS) jep një pasqyrë të përmasave të konfliktit.
Sipas raportit:
Ukraina ka humbur mes 125 mijë dhe 150 mijë ushtarë të vrarë nga shkurti 2022 deri në qershor 2026
Rusia ka pësuar mes 400 mijë dhe 450 mijë të vrarë në luftim
Në total, viktimat e luftës (të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur) kalojnë 2 milionë persona, ku rreth 1.4 milionë janë ruse
Në nivel civil, Kombet e Bashkuara raportojnë mbi 16 mijë të vrarë dhe më shumë se 46.500 të plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës.
Raporti e cilëson numrin e viktimave ushtarake si “shumë të lartë”, duke theksuar se humbjet ruse janë më shumë se katër herë më të mëdha se të gjitha humbjet e SHBA-së në konfliktet pas Luftës së Dytë Botërore, shkruan Corriere.
Sipas analizës, ofensiva tokësore ruse ka ngecur ndjeshëm, me përparime minimale në disa zona të frontit, ndërsa në disa raste Rusia ka humbur më shumë territor sesa ka fituar.
Ekspertët theksojnë se përparimi i forcave ruse është reduktuar në ritme shumë të ngadalta, të konsideruara ndër më të ulëtat në luftërat moderne, duke reflektuar vështirësi serioze ushtarake.
Pavarësisht humbjeve të mëdha, raporti vëren se Rusia nuk ka treguar sinjale për të ulur intensitetin e luftës, ndërsa Perëndimi, sipas analizës, nuk ka ushtruar presion të mjaftueshëm për ta ndryshuar situatën në terren.
Analiza e CSIS thekson se lufta moderne, e dominuar nga dronët dhe teknologjitë e reja, po sjell nivele edhe më të larta viktimash.
Ekspertët paralajmërojnë se konflikti po kthehet në një luftë rraskapitëse, me humbje të mëdha njerëzore dhe ekonomike, ndërsa perspektiva e një zgjidhjeje diplomatike mbetet e largët.


