Irani dhe SHBA ndalojnë përkohësisht sulmet, nisin bisedimet në Katar

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të ndalojnë përkohësisht shkëmbimin e sulmeve, ndërsa pritet që të martën të zhvillohen bisedime në Katar me fokus situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Lajmi është raportuar nga Axios dhe CNN, duke iu referuar burimeve nga administrata amerikane.
Sipas këtyre raportimeve, palët kanë pezulluar përkohësisht operacionet ushtarake për të krijuar hapësirë për negociata dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Një zyrtar amerikan ka bërë të ditur se është vendosur ndërprerja e veprimeve ushtarake, ndërsa një tjetër burim nga administrata amerikane ka bërë të ditur se marrëveshja përfshin edhe garantimin e lëvizjes së lirë të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Teherani është zotuar për sigurinë e kalimit të anijeve përmes këtij korridori strategjik, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë pranuar heqjen e bllokadës ndaj disa porteve iraniane në Gjirin Persik.
Bisedimet në Katar vijnë pas shkëmbimeve të fundit të sulmeve mes dy palëve dhe akuzave për shkelje të mëparshme të armëpushimit. Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar mbi raportimet.
Ndërkohë, zhvillimi vjen një ditë pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump për mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake ndaj Iranit.
Komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër bisedimet në Katar, të cilat mund të përcaktojnë nëse marrëveshja e përkohshme do të kthehet në një stabilizim afatgjatë të situatës.


