Gjykata Supreme i bllokon Trump një nga premtimet kryesore, mbetet në fuqi e drejta e shtetësisë nga lindja

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka rrëzuar dekretin e presidentit Donald Trump për heqjen e së drejtës së shtetësisë automatike nga lindja për fëmijët e emigrantëve pa dokumente ose me vizë të përkohshme, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën.
Me shumicë votash 6 me 3, gjyqtarët lanë në fuqi parimin e njohur si "ius soli", i cili garanton shtetësinë amerikane për çdo fëmijë të lindur në territorin e Shteteve të Bashkuara, me përjashtime të kufizuara.
Vendimi u firmos nga kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, i cili argumentoi se interpretimi i administratës Trump për Amendamentin e 14-të nuk mbështetet nga Kushtetuta dhe bie ndesh me jurisprudencën e krijuar prej më shumë se një shekulli.
Gjykata iu referua edhe precedentit të vitit 1898, që konfirmon të drejtën e shtetësisë për personat e lindur në territorin amerikan.
Pas vendimit, Trump kërkoi ndërhyrjen e Kongresit për të ndryshuar ligjin, duke argumentuar se shtetësia nga lindja dëmton interesat e vendit.
Në të njëjtën ditë, Gjykata Supreme lejoi shtetet të zbatojnë ligjet që ndalojnë sportistët transgjinorë të marrin pjesë në garat sportive të femrave, duke vlerësuar se këto masa synojnë mbrojtjen e korrektësisë së garës dhe sigurisë së sportisteve.
Po ashtu, gjyqtarët hoqën kufizimet federale për financimet e koordinuara mes partive politike dhe kandidatëve, një vendim që pritet të ndikojë në fushatat për zgjedhjet e ardhshme në SHBA.
Gjykata vendosi gjithashtu të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjeve të disa shteteve që ndalojnë shitjen e pushkëve gjysmëautomatike, ndërsa la në fuqi kufizimet që ndalojnë të rinjtë 18-20 vjeç të blejnë armë zjarri.
Një tjetër vendim lidhet me drejtuesen e Zyrës së të Drejtës së Autorit, Shira Perlmutter. Gjykata vendosi që ajo të mbetet në detyrë deri në përfundimin e procesit gjyqësor lidhur me shkarkimin e saj, një çështje e lidhur me përdorimin e veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit për trajnimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.


