““Flamingot” po i dëgjoj!” - Rama flet në Gjermani për “Revolucionin” dhe mesazhet për qeverisjen
Serbia po forcon më tej bashkëpunimin ushtarak me Kinën, pavarësisht paralajmërimeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka njoftuar blerjen e raketave të reja balistike supersonike kineze dhe avionëve luftarakë, duke shtuar shqetësimet për një garë të re armatimi në Ballkan dhe për orientimin gjeopolitik të Beogradit.

Serbia po vazhdon të investojë fuqishëm në modernizimin e ushtrisë së saj, duke thelluar bashkëpunimin me Kinën në fushën e mbrojtjes.
Presidenti Aleksandar Vuçiç ka njoftuar se Beogradi do të blejë raketa të tjera balistike supersonike CM-400, të cilat i ka cilësuar si “raketa të frikshme”, si dhe avionë të rinj ushtarakë. Sipas ekspertëve, njoftimi lë të kuptohet se edhe avionët e rinj mund të vijnë nga Kina.
Serbia është aktualisht i vetmi vend në Evropë që zotëron raketat kineze CM-400, ndërsa Pekini është kthyer në furnizuesin e saj më të madh ushtarak. Në vitet e fundit, ushtria serbe ka blerë gjithashtu dronët luftarakë CH-92A dhe CH-95, si dhe sistemet e mbrojtjes ajrore FK-3 dhe HQ-17.
Këto zhvillime kanë shkaktuar reagime të forta në Perëndim. Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për orientimin gjeopolitik të Serbisë, duke theksuar se një bashkëpunim kaq i ngushtë ushtarak me Kinën bie ndesh me aspiratën e Beogradit për anëtarësim në BE.
Edhe në rajon, armatosja e Serbisë po ndiqet me vëmendje. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar se Zagrebi do të konsultohet me aleatët e NATO-s lidhur me raketat e reja serbe, ndërsa presidenti Vuçiç ka reaguar duke thënë se askush nuk mund t'i tregojë Serbisë se çfarë armësh duhet të ketë.
Analistët vlerësojnë se përmes këtyre blerjeve, Beogradi po ndjek një politikë balancimi mes Lindjes dhe Perëndimit, duke forcuar njëkohësisht marrëdhëniet me Pekinin dhe Moskën.
Ndërsa Serbia deklaron se i përmbahet neutralitetit ushtarak dhe nuk ka synime agresive, rritja e vazhdueshme e shpenzimeve për mbrojtjen dhe blerja e armëve të avancuara po shtojnë shqetësimet për sigurinë dhe ekuilibrat në rajonin e Ballkanit.

