Erdogan: 319 000 shtëpi brenda një viti në rajonin e goditur nga tërmeti
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka premtuar se do të shërojë plagët e shkaktuara nga tërmetet e fuqishme që goditën rajonin jugor të vendit të tij muajin e kaluar duke marrë jetën e mbi 50 mijë banorëve.
“Ne po punojmë ditë e natë për të shëruar plagët e shkaktuara nga tërmeti në zemrat e miliona e njerëzve”, tha presidenti Erdogan në një ceremoni të hedhjes së themeleve në provincën Adıyaman.
Erdogan njoftoi se Turqia planifikon të ndërtojë 319 mijë shtëpi brenda një viti në rajonin e goditur nga tërmeti.
“Në njërën anë po krijojmë hapësira të përkohshme akomoduese, ndërsa në anën tjetër po fillojmë ndërtimin e banesave të përhershme”, tha ai duke shtuar se deri më tani ka filluar ndërtimi i 56 323 shtëpive.
Më 6 shkurt, dy tërmete me magnitudë 7,7 dhe 7,6 goditën 11 provinca turke.
Nga to u prekën mbi 13,5 milionë persona, përfshirë Sirinë Veriore. /ATA