“Duhet rritur presioni ndaj Putinit”/ Zelensky paralajmëron: Rusia po përgatit s*lme të reja masive

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se luftimet për qytetin strategjik të Kostyantynivka në Ukrainën lindore po vijojnë, duke kundërshtuar pretendimet e Rusisë për marrjen e kontrollit të tij.
Sipas Zelenskyt, forcat ukrainase vazhdojnë mbrojtjen e qytetit, ndërsa ai hodhi poshtë deklaratat e Kremlinit se Kostyantynivka është pushtuar, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Më herët këtë javë, Moska kishte njoftuar se kishte marrë kontrollin e qytetit, i cili ndodhet në një zonë strategjike të rajonit të Donetskut. Para pushtimit rus në vitin 2022, qyteti kishte rreth 78 mijë banorë.
Zelensky paralajmëroi gjithashtu se shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë informacione për përgatitjen e një vale të re sulmesh masive nga Rusia, në prag të zhvillimeve diplomatike ndërkombëtare.
Ai tha se Rusia po intensifikon operacionet ushtarake, ndërsa Ukraina, sipas tij, po vazhdon goditjet brenda territorit rus, të cilat po japin rezultate të përditshme dhe po ndikojnë në logjistikën dhe furnizimet me energji.
Presidenti ukrainas theksoi se presioni ndaj Rusisë duhet të rritet për të arritur paqe, duke shtuar se Kievi ka paraqitur propozimet e tij dhe pret që në muajt e ardhshëm të krijohen kushtet për një marrëveshje, qoftë përmes forcës ose diplomacisë.

