Danimarka heq taksën e librit për të inkurajuar leximin

Qeveria daneze po planifikon të heqë taksën mbi librin, e cila aktualisht është 25%, duke e cilësuar atë si një hap për të inkurajuar qytetarët të lexojnë më shumë.
Ministri i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, njoftoi se kjo masë do t’i kushtojë shtetit 330 milionë korona daneze (rreth 44 milionë euro) në vit, por synon të përhapë letërsinë dhe të rrisë konsumin kulturor në vend.
“Jam jashtëzakonisht krenar që arrita t’i bind kolegët të investojnë kaq shumë në kulturën e danezëve”, deklaroi Engel-Schmidt, duke theksuar nevojën për të marrë rreziqe për të përballuar krizën e leximit që po përhapet vitet e fundit.
Vendet e tjera nordike nuk e aplikojnë normën e plotë tatimore prej 25% për librat: Finlanda ka 14%, Suedia 6%, ndërsa Norvegjia nuk ngarkon librat fare. Përvoja e Suedisë tregon se ulja e taksës rriti shitjet, por kryesisht te lexuesit ekzistues.
Në Danimarkë, me një popullsi mbi 6 milionë banorë, u shitën 8.3 milionë libra në vitin 2023, kryesisht për fëmijë dhe me ilustrime. Qeveria planifikon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin mes bibliotekave publike dhe shkollave për t’i afruar më shumë fëmijë me letërsinë.
Ministri paralajmëroi se nëse ulja e taksës nuk çon në rënie të çmimeve të librave, masat do të rishqyrtohen, duke theksuar se do të monitorohet ndikimi në fitimet e botuesve.

