CNN shkarkon prezantuesin e njohur, Donald Trump në festë

CNN shkarkon prezantuesin e njohur, Donald Trump në festë

Rrjeti televiziv amerikan CNN ka shkarkuar një prej prezantuesve të tij më të njohur, Don Lemon, siç ka bërë të ditur në Tëitter, duke sqaruar se ishte “i befasuar” nga ky vendim dhe nuk ishte informuar nga menaxhmenti për ndërprerjen e bashkëpunimit të tyre.

“Unë u informova këtë mëngjes nga agjenti im se jam shkarkuar nga CNN. Jam i habitur”, tha ai.

“Pas 17 vitesh në CNN, do të kisha menduar se dikush në menaxhim do të kishte pasur mirësjelljen të ma thoshte këtë drejtpërdrejtë”, shtoi ai.

Në deklaratën e vet, CNN thotë se rrjeti ka "ndarë rrugët" me Lemon dhe se spikerit iu ofrua mundësia për t'u takuar me menaxhmentin, por zgjodhi të postonte një njoftim në llogarinë e tij personale në Tëitter.

Rrjeti e quajti versionin e Lemonit të ngjarjeve "të pasaktë".

Asnjë nga njoftimet nuk specifikonte arsyet e largimit të Lemonit nga rrjeti. Por BBC raporton se shkarkimi erdhi pas akuzave për mizogjini dhe sjellje të pahijshme.

Spikeri iu bashkua stafit të CNN në 2006.

Ai drejtoi emisionin “Don Lemon Tonight” për tetë vjet dhe u shpërfaq kryesisht gjatë presidencës së Donald Trump, të cilin e quajti “racist”.

Trump përshëndeti largimin e Lemonit nga CNN.

Në platformën që ai përdor tani, Truth Social, ish-presidenti shkroi: "E vetmja pyetje që kam është, pse u desh kaq shumë?"

Lemon u kritikua në fillim të këtij viti për komentet që ai bëri në transmetim gjatë një debati rreth një propozimi nga Nikki Haley, kandidatja republikane për nominimin e partisë, se ata mbi 75 vjeç që duan të shërbejnë në Shtëpinë e Bardhë duhet të provojnë se janë të aftë mendërisht.

Prezantuesi më pas tha se vetë Haley nuk është në kulmin e jetës së saj dhe se kulmi i një femre është në të 20-at, 30-at, “ndoshta edhe të 40-at”.

Më vonë ai kërkoi falje për komentet e tij seksiste.

Duke komentuar shkarkimin e tij nga CNN, Haley shkroi në Twitter: "Ditë e shkëlqyer për gratë, kudo".

Më herët sot, Lemon ishte në "CNN This Morning" të CNN, të cilin filloi ta prezantonte disa muaj më parë përkrah gazetareve Caitlin Collins dhe Poppy Harlow.

Shefi i rrjetit Chris Light tha se shfaqja do të vazhdojë.

cnn

EMISIONET