Buka do vijë edhe mes luftës
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, lajmëroi se Ukraina dhe Rusia u dakordësuan për të zgjatur marrëveshjen e eksportit të grurit përmes Detit në Zi vetëm pak orë pasi pakti i mëhershëm të skadonte.
Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri me dije se Ukraina dhe Rusia u dakordësuan për të vazhduar marreveshjen e transportit të grurit nga territori ukrainas drejt Lindjes së Mesme, Azisë dhe Afrikës.
Por as OKB, as presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, që e kanë ndërmjetësuar marrëveshjen, nuk kanë treguar se për sa kohë është vazhduar ajo.
“Si rezultat i negociatave tona me të dyja palët, ne zgjatëm periudhën e marrëveshjes,” tha Erdogan.
Zëvendëskryeministri ukrainas. Oleksandr Kubrakov, ka thënë se marrëveshja është shtyrë për 120 ditë, sipas kërkesave të Ukrainës, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara.
Rusia nuk ka reaguar ende, ndonëse më herët ka kërkuar një vazhdim të marrëveshjes vetëm për 60 ditë.
Kjo është hera e dytë që vazhdohet marrëveshja, që Ukraina dhe Rusia e kanë nënshkruar në korrik të vitit të kaluar dhe që skadonte më 18 mars.
Dy shtetet, që janë përfshirë në luftë, janë eksportuese globale të grurit dhe nënprodukteve të tij, dhe shumë shtete të botës varen prej tyre.
Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritje rekorde të produkteve ushqimore vitin e kaluar, bashke dhe më efektet e pandemisë.
Kriza e shkaktuar besohet se ka përballur 345 milionë njerëz me pasiguri ushqimore, sipas të dhënave të Programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqim.
Sipas OKB-së, marrëveshja mes dy vendeve ka ndihmuar në transportimin e 24 milionë tonëve të grurit ukrainas nga portet e këtij shteti.