Arrestime për tërmetin në Turqi, Erdogan paralajmëron grabitësit e banesave e ndihmave

Turqia filloi një valë arrestimesh në zonat e prekura nga tërmeti ndaj personave që kanë kryer punimet në ndërtesat që morën jetën e mijëra njerëzve. 12 persona janë ndaluar dhe 29 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndërkaq Erdogan paralajmëroi hajdutët e banesave të braktisura dhe abuzuesit me ndihmat pak para se 48 persona të arrestoheshin për vjedhje. Pas 133 orësh nën rrënoja në Turqi u shpëtua një 63 vjeçar ndërsa në Siri një vajzë e mitur.

Arrestime për tërmetin në Turqi, Erdogan paralajmëron

Policia turke nisi arrestimet e para për termetin që goditi jugun e vendit me pasojë vdekjen e 22 327 personave.

Mediat lokale informuan se 12 persona janë arrestuar lidhur me shembjen e ndërtesave në provincat juglindore të Gaziantepit dhe Sanliurfës.

Ndërkaq një prej prokurorëve që po kryen hetimet ka firmosur edhe 29 urdhëra arresti.

Sipas agjencisë së lajmeve, DHA, në mesin e të arrestuarve ka edhe kontraktorë të punimeve në godinat që nuk i rezistuan tërmetit.

Të paktën 6.000 ndërtesa janë shembur pas lëkundjeve me fuqi 7.8 ballësh që goditën Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt.

Nga ky tërmet që preku dy vendet në zonën kufitare mes tyre, kanë vdekur mbi 25.000 persona në Turqi dhe Siri.

Pasoja e rënda njerëzorë dhe materiale kanë nxitur zemërimin e publikut lidhur me kualitetin e dobët të punimeve në objektet që u rrafshuan duke marrë jetën e mijëra njerëzve, pasi përveç viktimave në Turqi numërohen edhe rreth 80 mijë të plagosur.

 Prokurori publik në Dijarbakir, një nga 10 provincat juglindore të prekura nga tërmeti, lëshoi ​​urdhër arresti për 29 persona të shtunën, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve tha se numri i të ndaluarve mund të shtohet në ditët e ardhshme.

Një nga të arrestuarit të shtunën ishte një kontraktor i një ndërtese në Gaziantep, i cili u lokalizua nga policia në Stamboll.

Presidenti i Turqisë, Erdogan ka paralajmëruar luftë të ashpër edhe ndaj atyre që po përfshihen në vjedhjen e banesave apo të ndihmave në rajonet e goditura nga tërmeti.

“Dora e shtetit do të bjerë në kurrizin e tyre”-ka thënë Erdogan.

Në të njëjtën kohë ekipet turke të sigurisë arrestuan të shtunën të paktën persona 48 të dyshuar për plaçkitje të ndërtesave të dëmtuara.

Mes të arrestuarve janë edhe dy persona të paraqitur në mënyrë të rreme si punonjës të ndihmave të cilët u përpoqën të grabisnin gjashtë kamionë me ushqime të destinuara për viktimat e tërmetit në provincën Hatay. 

Ndërkaq operacionet e shpëtimit vazhdojnë ku një 63-vjeçar është nxjerrë i gjallë pas pas 133 orësh nën rrënoja.

Ndërkaq në Siri, në të njëjtën kohë u shpëtua e gjallë një vajzë  5-vjeçare.

Pamjet e publikuara nga provinca Hatay treguan çarjet masive të tokës të shkaktuara nga lëkundjet sizmike që prekën zonën.

Mediat citojnë banorët që dëgjuan shpërthime të forta në kohën e tërmetit në zonën ku janë shfaqur çarjet e tokës.

termeti ne turqi

EMISIONET