Ankaraja në përgatitje për Samitin e NATO-s, zbardhen detaje për takimin Trump-Erdogan

Ankaraja po përfundon përgatitjet për organizimin e Samitit të NATO-s, që do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik, ndërsa mediat turke kanë publikuar detajet e para mbi vizitën e presidentit amerikan Donald Trump dhe axhendën e takimit të tij me presidentin Recep Tayyip Erdogan.
Sipas raportimeve, Trump pritet të mbërrijë në kryeqytetin turk më 7 korrik, i shoqëruar nga një delegacion i gjerë amerikan. Ekipet e sigurisë dhe ato logjistike kanë nisur prej ditësh përgatitjet për zhvillimin e vizitës.
Sipas programit, ndalesa e parë zyrtare e presidentit amerikan do të jetë në Anıtkabir, mauzoleun e themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Atatürk, ku ai do të vendosë një kurorë me lule dhe do të bëjë homazhe.
Më pas, Trump do të pritet në Pallatin Presidencial nga presidenti Erdogan, ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes.
Pas ceremonisë, dy liderët pritet të zhvillojnë fillimisht një takim kokë më kokë, i cili do të pasohet nga bisedime mes delegacioneve të dy vendeve. Në fokus të diskutimeve pritet të jenë marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e sigurisë, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, si edhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Mediat turke raportojnë se, pas përfundimit të takimit, nuk përjashtohet mundësia që Trump dhe Erdogan të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat, ndërsa po shqyrtohet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve bashkëpunimi.
Në kuadër të Samitit të NATO-s, më 7 korrik do të zhvillohet edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, në Qendrën e Kongreseve ATO në Ankara. Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë zyrtarë të NATO-s, përfaqësues të qeverive dhe drejtues të kompanive kryesore të industrisë së mbrojtjes, me synimin për të forcuar partneritetet dhe bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes.
