Basha mban "peng" PD, Celibashi: Deklarata solemne duhet nënshkruar vetëm nga kryetari i partisë
Konflikti brenda Partisë Demokratike zbriti sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku komisioneri Celibashi shqyrtoi dy kërkesat e PD, grupit të Alibeaj dhe grupit të Berishës, për regjistrimin e kësaj partie në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Përfaqësuesi ligjor i Alibeajt, Indrit Sefa, debatoi me Celibashin duke insistuar se ka vetëm një kërkues.
Celibashi insistoi se ka dy kërkues nga PD.
Në një momnent ai i tha Sefës.
Celibashi: Do ta marrësh vesh tani se kush është PD.
Si përfundim komisioneri Celibashi konkludoi se të drejtën ligjore për përfaqësimin e PD e ka grupi i Alibeaj por deklaroi se deklarata solemne e kryetarit të partisë duhet të nënshkruhet vetëm nga kryetari i partisë, në këtë rast Lulzim Basha.
Celibashi: Çështja e përfaqësimit ligjor të PD ka qenë në diskutim. Por në vlerësim ligjor që i bëj dokumentacionit ka disa fakte që i gjej të mbështetura në ligj dhe disa jo. Qëndron ligjërisht fakti se Lulzim Basha është kryetar i PD, nuk ka qëndruar fakti tjetër që Sali Berisha është kryetar i PD. Lulzim Basha ose përfaqësuesit e tij ligjorë kanë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën në emër të PD për tu regjistruar si subjekt zgjedhor. Por duhet që ky autorizim duhet të jetë plotësisht i qartë dhe i plotë.Dokumentacioni për regjistrimin e PD i paraqitur nga ju i autorizuar nga Basha ka mangësi ligjore. Deklarata solemne duhet të nënshkruhet nga Basha dhe rezulton se është nënshkruar nga Alibeaj që është i autorizuar nga Basha. Deklarata është akt që duhet nënshkruar vetëm nga kryetari i partisë.Paraqitja e dokumentit është kusht për pranimin e kërkesës për regjistrim të një partie politike si subjekt zgjedhor. Deklarata solemne e kryetarit të partisë duhet të nënshkruhet vetëm nga kryetari i partisë.Përgjegjësia vetëm e kryetarit të partisë është e njëjtë me përgjegjësinë e një dëshmitari. Nuk transferohet te të tretët. Duhet të jetë e nënshkruar vetëm nga kryetari i partisë.
Pjesë nga diskutimet në mbledhje
Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor i Alibeajt foli për dy kërkesa të ndryshme që komisioneri duhet ti shqyrtojë të veçanta, jo bashkë.
Sefa: Janë dy kërkesa të ndryshme që komisioneri duhet ti shqyrtojë të veçanta, jo bashkë. Janë kërkesa me subjekte të ndryshme.
Celibashi nga ana e tij tha se KQZ shqyrton kërkesën e PD-së për tu regjistruar si subjekt zgjedhor.
Celibashi: Unë këtë kërkesë shikoj.
Sefa: Në këtë vendim ka dy kërkues, legjitimitetin e caktoni ju. Duhet një kërkues për vendimmarrje.
Sefa: Çfarë masash ka marrë komisioneri për të bërë kallëzim penal ndaj partive të cilat janë akuzuar për shitblerje votash?
Celibashi: Kjo është një çështje e cila vlerësohet rast pas rasti dhe kjo nuk ka lidhje me çështjen që po shqyrtohet sot.
Sefa: Veprimi dhe mosveprimi nga ana e komisionerit i kanë shkaktuar Partisë Demokratike një dëm të madh.
Celibashi: Keni prova të reja për të paraqitur.
Sefa: Provat e depozituara nga PD janë të qarta dhe në përputhje me ligjin me gjithë dokumentacionin e paraqitur.
Kërkesë për regjistrimin e PD por me kryetar Sali Berishën parashtroi edhe përfaqësuesi ligjor i ish-kryeministrit, Ledio Nuraj.
Nuraj: Në lidhje me kërkesën e paraqitur për PD me kryetar Sali Berishën, në bazë të kërkesës dhe si nga ana formale do të kërkonim regjistrimin e PD-së në zgjedhjet e 14 majit. Dokumentacioni i sjellë nga ana jonë ka qenë i plotë dhe në perputhje me kodin zgjedhor. Ne nuk kemi se çfarë dokumentacioni të plotësojme. Jemi plotësisht në perputhje me kodin zgjedhor.

