Basha: Haradinaj jo vetëm bëri luftën, por edhe e mbrojti para drejtësisë ndërkombëtare

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi gjatë pasdites së sotme një takim me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një postim në facebook, Basha thotë se Ramush Haradinaj dhe familja Haradinaj janë simbol i luftës për lirinë e Kosovës.

Basha: Familja Haradinaj i dha Kosovës dy prej heronjve të saj, ndërsa vetë Ramush Haradinaj i ka shërbyer gjithmonë me vetëmohim si në luftë e në paqe.

Kryedemokrati nënvizon se Haradinaj jo vetëm bëri luftën, por edhe e mbrojti luftën e drejtë për pavarësinë e Kosovës para drejtësisë ndërkombëtare.

Gjatë bisedës vëllazërore me Haradinaj, Basha thotë se shkëmbyen ide dhe mendime në lidhje me situatën që po kalojnë Shqipëria dhe Kosova.

Basha: Diskutuam për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e një koordinimi mes partnerëve tanë strategjik SHBA dhe BE në këtë proces, i cili si produkt final duhet të ketë njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Ndamë të njëjtin qëndrim se tërësia territoriale e Kosovës, e cila u fitua me gjak është e panegociueshme dhe e padiskutueshme.

Ndamë mendime të vyera për mënyrat e bashkëpunimit dhe ndihmës që duhet dhe mund të japë Shqipëria në këtë proces, por në asnjë rast ajo nuk mund dhe nuk duhet të flasë në emër të Kosovës.

Basha takim më Haradinaj në selinë e AAK-së

Pjesë e diskutimit kanë qenë edhe sfidat ekonomike mes dy vendeve.

Basha: Folëm për sfidat ekonomike që kanë përpara të dy vendet tona, për projekte të përbashkëta që do t'i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Folëm konkretisht për disa projekte mes të cilave edhe ato që mundësojnë akses konkret, dhe jo në letër të Kosovës në portet shqiptare. Në këto ditë të vështira për ekonominë dhe turizmin shqiptar, janë qytetarët e Kosovës që po ndihmojnë operatorët turistikë, dhe po i japin sado pak frymëmarrje ekonomisë dhe ndjehem i keqardhur që në këto ditë të vështira edhe për ta, u duhet të paguajnë tarifën në Rrugën e Kombit. Përsërita zotimin tim se kjo rrugë që i afron shqiptarët nuk mund dhe nuk do t'i pengojë më tarifa të lëvizin lirisht në të dy anët e kufirit.

Vendi Rajoni Lajme Politikë ramush haradinaj basha ne prishtine

EMISIONET