Atentati i dështuar: Ashensori shpëtoi biznesmenit Andon Dhima, arrestohen autorët

Katër persona me precedent të theksuar kriminal u arrestuan  me akuzën se kanë tentuar të vrasin biznesmenin Andon Dhima në Tiranë gjashtë ditë më parë duke e ndjekur deri brenda pallatit ku banon.

Në pranga kanë rënë, Grid Leno, i dënuar më parë për vjedhje me armë në Gjermani dhe Albin Hoxha, i dënuar më parë për plagosje me armë. Këta dy persona akuzohen si të implikuar direkt në tentativën e vrasjes.

Bashkë me ta u arrestuan dhe dy bashkëpunëtorët që i ndihmuan në realizimin e atentatit, 30-vjeçari Mariglen Matohiti nga Elbasani dhe Enea Hoxha nga Laçi i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Sipas burimeve të policisë, dy autorët e kanë ndjekur deri në hyrje të pallatit ku biznesmeni jeton me qëllim për ta eliminuar brenda në ashensor.

Bazuar në pamjet filmike të publikuara nga biznesmeni, ai ka shpëtuar falë mbylljes së derës së ashensorit çka i ka detyruar autorët të kthehen pas.

Arrestimi i 4 personave të dyshuar është bërë gjatë mbrëmjes së 20 tetorit në dy aksione të ndërmarra njëkohësisht në zonën e Brrylit dhe zonës së Inxhinierisë së Ndërtimit në kryeqytet.

Policia gjeti në banesat e katër të dyshuarve një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, mjetin në pronësi te shtetasit Albin Hoxha, që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes, veshjet e përdorura nga autorët, një shkop hekuri policie nga ato me hapje, një palë pranga, 6 telefona celular, rroba uniforme policie dhe kamuflazhi dhe prova të tjera materiale.

Katër personat e arrestuar akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim, për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, si dhe mbajtje pa të drejtë të uniformës së policisë.

Në foto : Biznesmeni Andon Dhima
Në foto : Dy autorët e arrestuar në lidhje me atentatin ndaj biznesmenit Andon Dhima, Grid Leno dhe Albin Hoxha

Vendi Lajme atentat Aktualitet andon dhima muhamet gjollesha tiarne

EMISIONET